U dënua me tetë vite burg, Apeli i GJKKO-së rrëzon ankimimin e policit të bandës Habilaj, Sokol Bode

27/01/2023 12:58

Apeli i GJKKO-së vendosi rrëzimin e ankimimit të ish-shefit të policisë së Dhërmiut, Sokol Bode, i cili u dënua me tetë vite burg.

Bode akuzohet se kishte lidhje me grupin kriminal Habilaj. Së bashku me kolegun e tij Gjergji Kohila ai akuzohet se me mosveprimet e tij ka lejuar trafikun ndërkombëtar të drogës të udhëhequr nga vëllezërit Habilaj në drejtim të Italisë.

Fillimisht pjesë e dosjes ka qenë edhe ish drejtori I Vlorës Jaelt Çela dhe ish ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. Më vonë çështja ndaj ish ministrit u veçua dhe ai po vuan dënimin me 3.4 vite burg për shpërdorim detyre.

Njoftimi i plotë

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Tereza Merkaj (kryesuese), Genti Shala (anëtar) dhe Valdete Hoxha (anëtare), sot më datë 27.01.2023, përfundoi shqyrtimin e çështjes së regjistruar me nr. 14/70 akti, datë 13.10.2022, mbi ankimin e paraqitur nga ankuesi/i pandehuri S.B., kundër vendimit nr. 28, datë 22.04.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar që ka vendosur:
-“1. Deklarimin fajtor të të pandehurit S.B. për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar përkatësisht nga nenet 283/a/1, 28/4, 334/1 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 12 (dymbëdhjetë) vjet burgim.
2. Deklarimin fajtor të të pandehurit S.B. për veprën penale “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a/2 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 2 (dy) vjet burgim.
3. Në bashkim të dënimeve, bazuar në nenin 55/1 të Kodit Penal, dënimin e të pandehurit S.B., me një dënim të vetëm me 12 (dymbëdhjetë) vjet burgim.
4. Në aplikim të nenit 406 pika 1 të Kodit të Procedurës Penale, uljen e dënimit me 1/3 dhe dënimin përfundimtar të të pandehurit S.B., me 8 (tetë) vjet burgim.
5. Vuajtja e dënimit për të pandehurin S.B. të fillojë nga dita e ekzekutimit të masës së sigurimit “Arrest në burg” të caktuar ndaj tij.
6. Në aplikim të nenit 16, pika 1, gërma “a” të Ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, i ndryshuar, i pandehuri S.B. ta vuajë dënimin në burgun e sigurisë së lartë…”.

Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi:

– Lënien në fuqi të vendimit nr. 28, datë 22.04.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Top Channel