Në një ceremoni të veçantë në Teatrin e Operas dhe Baletit, më të mirët e sipërmarrjes private u mblodhën për të festuar arritjet tyre pas një viti plot sfida.

“CCIT Awards” e organizuar nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë në jubileun e saj të 126-të mblodhi bizneset nga të gjitha trevat shqiptare, duke vlerësuar sipërmarrësit me çmime në kategori të ndryshme për arritjet e tyre. Të ftuar në këtë mbrëmje ishin edhe figura të shquara të arsimit, politikës dhe qeverisë shqiptare, të Maqedonisë së Veriut, por edhe të Kosovës.

Surprizat dhe emocionet e bukura nuk munguan, ndërsa Nderi i Kombit, artisti Mirush Kabashi recitoi poezinë Amaneti i Skënderbeut, një thirrje për bashkimin e shqiptarëve kudo ku ndodhen. Më pas performancat vijuan me këngë klasike nga tenorët dhe trupa e shkollës së baletit.

Dhoma e Tregtisë kishte përgatitur edhe disa çmime speciale, me simbolika të veçanta. Ndër to u vlerësua edhe televizioni Top Channel për kontributin e paçmuar në transformimin e botës mediatike shqiptare. Drejtuesja Lori Hoxha pranoi çmimin e veçantë “Nën gjurmët e babait”:

Jam shumë e papërgatitur për këtë nder që m’u dha sonte dhe ne të televizionit nuk na pëlqejnë shumë të papriturat, dhe kur dalim jashtë skalete mundohemi ta mbyllim shpejt se nuk duam të bëjmë gabime, duam të evitojmë çdo lloj pakënaqësie të publikut. Por nuk rri dot pa falenderuar zotin Nikolin.

Ta dija që do të flisja publikisht, do të kisha çuar thjesht një mesazh. Megjithatë, për mua është nder shumë i madh që jam mes figurave më të rëndësishme të biznesit shqiptar.

Do të doja të thosha dy fjalë. Top Channel ka nisur si një ëndërr e tim eti dhe është ndërtuar në themele shumë të forta dashurie, dashuri për punën, për familjen, por sidomos për kombin. Vizioni i tij ishte shumë i qartë, megjithatë unë mendoj se asgjë nuk arrihet pa besimin e njerëzve që ke afër dhe besimin e të gjithë shqiptarëve. Unë do të doja t’i falenderoja për besimin që i dhanë ëndrrës së babait tim, sepse ai besim është akoma shumë i fortë sot. Dua realisht t’i falenderoj, sepse besuan aq sa unë që misioni që ka Top Channel është më i madh se emri që e udhëheq.

Unë jam këtu, vetëm sepse besoj akoma në themelet në të cilat Top Channel është ndërtuar dhe jam e bindur që vizionin e tij mund ta përshtas në kohën që ne jetojmë. Po ashtu, besoj që dashurinë që ai kishte për Top Channel, e ka trashëguar më së miri tek unë. Uroj që Top Channel të jetë po aq revolucionar sot dhe uroj të kemi njerëz afër që të na besojnë po aq shumë në të ardhmen, sa na kanë besuar deri tani dhe të besojmë te qëllimi jonë për t’i shërbyer Shqipërisë dhe për ta bërë këtë vend akoma më të mirë”.

Talat Xhaferri, kryetar i parlamentit të Maqedonisë së Veriut dhe Evis Kushi, ministre e Arsimit ishin gjithashtu të vlerësuar me simbolikat e veçanta në festën e sipërmarrjes shqiptare.

FOTO GALERI
5/5

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA