Kamerat ilegale në Shkodër! U vendosën nga “të fortët” e lagjeve, hiqen nga policia

25/01/2023 20:08

Shkodra duket se po çlirohet nga vëzhgimi që i kanë bërë territorit grupet kriminale nëpërmjet kamerave të sigurisë të instaluara në mënyrë të kundraligjshme.

38 kamera të tjera sigurie janë çmontuar nga uniformat blu të Shkodrës pasi dyshohet se përdoreshin nga grupet kriminale.

Kamerat ishin vendosur në zona shumë të frekuentuara, konkretisht në lagjet “Guerrile”, “Salo Halili” dhe “Kongresi i Përmetit”, me qëllim sigurimin e informacioneve për qëllime kriminale, si dhe për të monitoruar lëvizjet e Policisë.

Kjo është hera e dytë që policia çmonton kamera sigurie në Shkodër.

Gjatë fazës së parë të planit operacional policor të koduar “Fijet”, u çmontuan 21 kamera të instaluara në dy lagjeve më problematike të Shkodrës, të lidhur me ngjarjet kriminale, lagjet Kiras ku banojnë familjet Lici dhe Bilali, si dhe në lagjen Dobraç ku banon familja Bajri.

Në bashkëpunim me prokurorinë Shkodër, vijon puna intensive për identifikimin e shtetasve që kanë instaluar këto kamera, si dhe për zbardhjen e plotë të qëllimit të vendosjes së tyre.

 

Top Channel