Rritja e ndjeshme e kërkesave për azil ka vënë në lëvizje Bashkimin Europian, që po kërkon tani t’i vërë re fenomenit përmes një strategjie të re.

Prej vitesh, blloku nuk ka avancuar dot në përpjekjet e tij për kthimin e azilkërkuesve pa të drejtë qëndrimi, megjithatë tani duket i vendosur të hidhet në aksion. Për këtë arsye, Komisioni i BE-së në Bruksel paraqiti planet për krijimin e një sistemi të përbashkët për dëbimin e emigrantëve pa të drejtë qëndrimi.

Numri i hyrjeve të parregullta në vitin 2022 është rritur, deklaroi komisionerja europianeve e Punëve të Brendshme, Ylva Johannsson, dhe shumë prej këtyre njerëzve, shtoi ajo, nuk kanë arsye reale për azil.

Po përballemi me një rritje të ndjeshme të emigracionit ilegal. Më shumë se 330.000 klandestinë janë zbuluar nga Frontex vitin që shkoi, një rritje kjo me 100.000 krahasuar me vitin e mëparshëm. Pjesa më e madhe e këtyre njerëzve as nuk kanë vërtet nevojë për mbrojtje ndërkombëtare, por aplikojnë gjithsesi“- u shpreh Ylva Johannsson, Komisionere e çështjeve të brendshme.

920.000 kërkesa për azil janë paraqitur në vitin 2022 sipas Komisionit të BE-së. Kjo është një rritje me gati 50 përqind kundrejt një viti më parë. “Kjo e vë nën presion të jashtëzakonshëm sistemin tonë të azilimit dhe kapacitetet e pranimit”, tha Johansson. Në vitin 2019, sipas të dhënave të Komisionit të BE-së, janë kthyer 29 përqind e atyre njerëzve, të cilët duhej të largoheshin nga shtetet e BE-së.

Më 2021 kuota ishte 21 përqind. Autoriteti i BE-së në vitin 2018 kishte shpallur si objektiv kthimin e rreth 70 përqind personave pa të drejtë qëndrimi. Për të rritur numrin e të kthyerve, BE-ja do të arrijë që vendet anëtare të bashkëpunojnë në mënyrë të koordinuar. Për këtë komisioni ka krijuar një strukturë të vetën brenda Agjencisë për Mbrojtjen e Kufirit Frontex.

Top Channel