Elezi rikthehet te Shkëndija e Tetovës. Sulmuesi i talentuar 18-vjeçar u transferua pak ditë më parë te gjeorgjianët e Torpedo Kutaisit. Megjithatë, siç njoftojnë kuqezinjtë e Tetovës, gjithçka është anuluar tashmë.
Shkak është bërë situata familjare e të riut të talentuar, i cili në muajt e fundit ka humbur gjyshin dhe babanë e tij. Për shkak të gjendjes emocionale, ka vendosur të rikthehet në Tetovë, ku Shkëndija i ka hapur menjëherë derën.
Edhe gjeorgjianët e Torpedo Kutaisit kanë mirëkuptuar situatën dhe i kanë dhënë mundësi Elezit të rikthehet pranë familjes. Tashmë sulmuesi do të veshë sërish fanellën kuqezi të Shkëndijës, me synimin për t’u rritur e ndihmuar edhe më shumë skuadrën.
Elezi rikthehet te Shkëndija – Komunikata e klubit kuqeblu
KF Shkëndija përmes kësaj komunikate synon të sqarojë situatën e re të krijuar në lidhje me sulmuesin Dashmir Elezi.
Me kërkesë të vetë futbollistit, Shkëndija vendosi të mos pengojë dëshirën dhe pretendimet e lojtarit për t’u transferuar jashtë vendit. Kësisoj u pranua oferta e Torpedo Kutaisit dhe Elezit i’u aprovua transferimi në Gjeorgji.
Fatkeqësisht pas firmosjes dhe prezantimit me klubin e ri, duke ditur ndodhitë familjare të Dashmir Elezit (brenda një muaj humbi babain dhe gjyshin), 18-të vjeçari është gjetur në situatë të rënduar emocionale. Për këtë arsye, nga Torpedo Kutaisi i është dhënë leje që të kthehet në Tetovë për të vendosur me qetësi për të ardhmen.
Vendimi i futbollistit dhe familjes është se duke ditur ndodhitë aktuale familjare, transferimi jashtë vendit ishte hap i shpejtuar. Në këtë periudhë Dashmiri ka nevojë të qëndrojë pranë të afërmve të tij.
KF Shkëndija sërish manifeston mirëkuptim dhe hap derën për Dashmir Elezin. Sulmuesi 18-vjeçar bashkohet me ekipin dhe do të jetë pjesë e jona edhe në periudhën që pason.
Top Channel