Suedia të mos e presë më mbështetjen e Turqisë për anëtarësim në NATO, deklaroi presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan pas protestës së fundjavës në Stokholm, ku u dogj një kopje e Kuranit.

Ajo që zemëroi më së shumti Ankaranë ishte fakti se Rasmus Paludan – një politikan suedezo-danez, veprimet anti-islamike të të cilit vitin e kaluar nxitën trazira në Suedi – e kishte marrë lejen nga autoritetet për të organizuar një protestë para Ambasadës turke në kryeqytet.

Tubues kurdë në Suedi dogjën më herët këtë muaj një kukull me pamjen e Erdoganit, por djegia e librit të shenjtë të myslimanëve, e mbushi kupën e durimit të tij.

 “Djegia e Kuranit ishte një fyerje për të gjithë, veçanërisht për myslimanët. Është e qartë se ata që lejuan një turp të tillë përpara dyerve të ambasadës tonë në këtë vend, nuk mund të presin më asnjë dashamirësi prej nesh lidhur me aplikimin e tyre”, tha Erdogan.

Suedia aplikoi për anëtarësim në NATO pasi Rusia pushtoi Ukrainën, por që kërkesa e saj të pranohet duhet dhe drita jeshile e Turqisë, si anëtare e aleancës ushtarake perëndimore. Erdogan kushtëzon pranimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO me ekstradimin e personave që kanë qenësipas tij,  pjesë e grusht-shtetit të dështuar ushtarak të vitit 2016.

Ankaraja po kështu argumenton se Suedia nuk ka bërë mjaftueshëm sa i përket shtypjes së grupeve kurde, që Ankaraja i sheh si “terroristë”.

Top Channel