Bayern përjashton trajnerin e portierëve, spiunonte bisedat e stafit teknik te lojtarët

24/01/2023 12:09

Klubi i Bayern Munich shkarkoi nga posti i trajnerit të portierëve, Toni Tapalovic i cili ishte pjesë e gjermanëve prej vitit 2011 ndërsa ishte shndërruar edhe në një nga miqtë më të ngushtë të Manuel Neuer, madje shpesh është theksuar se Tapalovic ishte edhe “sekreti” për nivelin e shfaqur nga gardiani në gjithë këto vite.

Mirëpo, kriza mes Tapalovic dhe Bayern nisi në momentin kur trajneri Julian Nagelsmann zbuloi se trajneri i portierëve spiunonte te pjesa tjetër e lojtarëve atë që diskutohej në mbledhjen e stafit teknik. Tapalovic duke pasur një marrëdhënie të ngushtë me Neuer por edhe me pjesën tjetër “veteranëve” të Bayern Munich, “spiunonte” atë që flitej në mbledhjet e trajnerit Nagelsmann. Një gjest që tekniku 42-vjeçar nuk ia fali kurrë, derisa në fund edhe drejtuesit më të lartë të bavarezëve u vendosën në krah të trajnerit duke e shkarkuar Tapalovic.

Drejtori i rekordmenëve gjermanë, Hasan Salihamidzic u shpreh se Tapalovic ka qenë pjesë e rëndësishme e sukseseve të Bayern në sezonet e fundit duke e falenderuar trajnerin e portierëve, por në fund theksoi se kishte ardhur momenti për të mbyllur bashkëpunimin. Nga ana tjetër, drejtuesit e Bayern nuk janë të kënaqur edhe me sjelljen e Neuer i cili si një lider i skuadrës do të duhej të kishte mbajtur një tjetër qëndrim dhe të mos e pranonte “spiunimin” e Tapalovic.

Kujtojmë, se Neuer këtë sezon mund ta konsiderojë të përfunduar me portierin që vuan një dëmtim pas aksidentit me ski, ndërsa edhe vetë karriera e tij është vendosur në pikëpyetje duke parë që tashmë është në moshën 36-vjeçare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA