Rrëshqitje masive dheu në Katundisht të Këlcyrës/ Shtëpitë pësojnë çarje, 5 familje strehohen tek bashkëfshatarët

23/01/2023 13:12

24 banorë të 5 familjeve në fshatin Katundisht në Këlcyrë kanë lënë banesat dhe janë strehuar përkohësisht tek bashkëfshatarët pasi lagjja Kalemaj në këtë fshat është përfshirë nga një rrëshqitje masive.

Për pasojë shtëpitë kanë pësuar çarje, dëmtime serioze strukturore ndërsa janë duke u fundosur në baltë. Banesat që gjenden në shtratin e rrëshqitjes po zaptohen me ritëm të lartë nga balta dhe e gjithë lagjja është e pabanueshme për momentin.

Banorët thonë se kanë humbur pasurinë e një jete dhe se nuk kanë ku të shkojnë. Disa hektarë tokë në përdorim të fshatit kanë dalë jashtë funksionit si dhe është krijuar një emergjencë për bagëtitë që janë i vetmi burim të ardhurash për fshatin.

Bashkia e Këlcyrës nuk ka mundësi financiare për të ndërhyrë për këtë emergjencë dhe një ekip i Emergjencave Civile kombëtare po pritet për të vlerësuar situatën në terren me ekspertë të gjeologjisë.

Katundishti ka pasur edhe më parë probleme të lidhura me rrëshqitjet dhe fundosjen e tokës por kjo është situata më ekstreme që banorët po përjetojnë.

Në të gjithë bashkinë e Këlcyrës reshjet kanë aktivizuar përrenjtë malorë duke bllokuar disa akse dytësore ndërsa disa zona të shpyllëzuara gjatë dekadës së fundit po përfshihen nga rrëshqitjet dhe fundosja e tokës.

Disa dhjetëra hektarë tokë bujqësore është degraduar pas situatës së fundit të motit në të gjithë bashkinë e Këlcyrës.

FOTO GALERI
2/6

Top Channel