Gjykata ka pranuar padinë e grupit të Enkelejd Alibeajt duke shpallur si antikushtetues vendimin e socialistëve për mos e çuar në Gjykatën Kushtetuese legjitimitetin e mandatit të deputetes për ministren e jashtme.

Ndërsa sa i takon  padisë së grupit të Berishës, trupa e gjyqtarëve e ka pushuar me argumentin se përpara se sa të shqyrtohet legjitimiteti i mandatit duhet të shprehet Kuvendi.

Sipas këtij vendimi, Kuvendi do të duhet të pranojë kërkesën e opozitës për të dërguar në Gjykatën  Kushtetuese ligjshmërinë e mandatit të deputetes të Ministres së Jashtme Olta Xhaçka.

Opozita ka argumentuar në kërkesën për Gjykatën Kushtetuese se mandati i deputetes së Partisë Socialiste Olta Xhaçka është i pavlefshëm, për shkak se bashkëshorti i saj ka përfituar pasuri publike me shpalljen si investitor strategjik, nga Komiteti i drejtuar prej kryeministrit Rama.

Kompania që do të ndërtojë një resort luksoz në bregdetin e jugut, ka marrë nga qeveria në përdorim për 30 vjet një plazh në Dhërmi. Duke iu referuar ligjit për konfliktin e interesit, deputetët demokratë sjellin si argument se përfitimet nga pasuria publike e bashkëshortit te ministres së Ramës janë njësoj sikur të ishin të rregjistruara në emër të vetë ministres. Prandaj, sipas tyre, Gjykata Kushtetuese duhet te vendosë për heqjen e mandatit të deputetes Olta Xhaçka.

Vetë Ministrja i ka rrëzuar më herët këto akuza dhe është shprehur se nuk ka asgjë të paligjshme në vendimet e qeverisë.

Partia Socialiste ka rrëzuar dy herë kërkesat e opozitës për ngritjen e një komisioni hetimor për investimet strategjike, që do të përfshinte edhe hetimin e përfitimit të pasurisë publike nga bashkëshorti dhe familjarë të tjerë të zonjës Xhaçka. Për rastin e shpalljes investitor strategjik të bashkëshortit të ministres Olta Xhaçka, grupi parlamentar i PD, i përfaqësuar nga Gazment Bardhi, ka kallëzuar në SPAK për shpërdorim detyre kryeministrin Edi Rama, në cilësinë e Kryetarit të Komisionit për Investimet Strategjike.

Por megjithëse kanë kaluar 7 muaj nga ky denoncim Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion nuk ka vendosur ende se çfarë do të bëjë me çështjen e radhës të politikës.

NJOFTIM 

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë në datën 18.01.2023, në orën 13:45, mori në shqyrtim në seancë plenare publike çështjen me nr. 10 (NJ) 2022 Regjistri Themeltar, me kërkues 1/5 e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, me objekt: “1. Shfuqizimin e vendimeve nr. 83/2022, datë 17.11.2022 të Kuvendit të Shqipërisë “Për mosmiratimin e raportit të pakicës parlamentare në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, me objekt konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka” dhe nr. 84, datë 17.11.2022 “Për miratimin e raportit të shumicës parlamentare në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, me objekt konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka”, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. 2. Konstatimin e papajtueshmërisë në ushtrimin e mandatit të deputetes Olta Xhaçka””.

Në përfundim të shqyrtimit, Gjykata Kushtetuese vlerësoi se:

1. Për kërkimin e parë, sipas objektit të kërkesës, që lidhet me shfuqizimin e vendimeve nr. 83/2022, datë 17.11.2022 të Kuvendit të Shqipërisë “Për mosmiratimin e raportit të pakicës parlamentare në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, me objekt konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka” dhe nr. 84, datë 17.11.2022 “Për miratimin e raportit të shumicës parlamentare në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, me objekt konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka”, gjykimi duhet të pushohet, pasi me vendimin e mëparshëm të saj, nr. 1, datë 23.01.2023, Gjykata Kushtetuese vendosi shfuqizimin e këtyre vendimeve.

2. Për kërkimin e dytë, sipas objektit të kërkesës, që lidhet me konstatimin e papajtueshmërisë në ushtrimin e mandatit të deputetes Olta Xhaçka, gjykimi i çështjes duhet të pushohet, pasi për këtë kërkim do të duhet të shprehet më parë Kuvendi i Republikës së Shqipërisë.

Për këto arsye, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, bazuar në nenet 131, pika 1, shkronja “e”, të Kushtetutës, si dhe në ligjin nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me shumicë votash,

VENDOSI

Pushimin e gjykimit të çështjes.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA