Prokuroria e Durrësit ka sekuestruar pasuri me vlerë 50 mln lekë në pronësi të shtetasit M.F., të cilat dyshohet se janë përfituar nga aktiviteti kriminal.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, ka regjistruar procedimin pasuror shtetasit M.F., i dënuar në shtetin italian për veprën penale të “Trafikimi i narkotikëve”.

Pas veprimeve hetimore të kryera për këtë procedim pasuror, mbi bazën e kërkesës së prokurorisë, me vendimin Nr. 13, datë 16.01.2023 të Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, u vendos sekuestrimi i pasurive që burojnë nga aktiviteti kriminal, të cilat arrijnë një vlerë rreth 50.000.000 (pesëdhejtë milionë) lekë, si më poshtë vijon:

Pasuria e paluajtshme me sip 133m2, Zonë kadastrale 8512, me vendndodhje rruga Taulantia Durrës, në emër të shtetases K.F.

Pasuria me sip 492m2, Zonë Kadastrale 8515, me vendndodhje në lagjen nr.14 Shkozet, Durrës, në emër të shtetasit M.F.

Pasuria me sip 165m2, Zonë Kadastrale 3385, me vendndodhje Golem, Kavajë, në emër të shtetasit M.F.

Pasuria objekt informal, ndertësë 3-katëshe në proces legalizimi, e vendosur mbi sipërfaqen e truallit 498 m2 në emër të shtetasit M.F.

Si dhe disa llogari bankare në emër të subjektit M.F., e të afërmve të tij.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, në zbatim të prioriteve për konfiskimin e çdo pasurie që buron nga veprimtaria e paligjshme sipas parashikimeve të ligjit “Antimafia”, vazhdon hetimet me qëllim identifikimin e pasurive të tjera mbi të cilat mund të procedohet sipas parashikimeve të këtij ligji.”

Top Channel