Fshehtësia që rrethon detajet e dialogut Kosovë-Serbi po kthehet në burim krizash sipas Bodo Weber, ekspert për Ballkanin dhe bashkëpunëtor i lartë i Këshillit për Politikat e Demokratizimit në Berlin.
Fakti që nuk jepen publikisht detaje nga takimet e ndërmjetësuesve perëndimorë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, është sipas tij sinjal se ekziston bllokada në procesin e bisedime.
Takimet zhvillohen me dyer të mbyllura, e kjo për Weber, ndikon në rezistencën ndaj propozimit të BE-së apo të ashtuquajturit plani franko-gjerman.
“Përderisa është e paqartë dhe jopublike prapavija e kësaj qasjeje, atëherë është vështirë të vlerësohet nëse ekziston vërtetë ndonjë dinamikë, ndonjë plan që shërbehet me disa afate që janë me kontekst të caktuar dhe të rëndësishëm ndërkombëtar apo e gjithë kjo është thjesht përpjekje për t’i ofruar palët, në mënyrë që të arrihet deri tek një përparim i shpejtë. Shprehja “kompromis”, që përdoret nga ana e ndërmjetësuesve ndërkombëtarë, në kontekstin e mundësisë së arritjes së një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është tejet e rrezikshme. Kjo ka qenë pika kryesore e Vuçicit dhe e regjimit serb në bisedimet rreth propozimit për shkëmbimin e territoreve”, tha Bodo Weber, ekspert për Ballkanin.
Weber mendon se përsa kohë nuk publikohen marrëveshjet dhe palëve u lihet kështu mundësia që ato t`i interpretojnë secili ndryshe, atëherë rreziku i krizave eventuale në veri të Kosovës, do të vazhdojë të ekzistojë.
Top Channel