Zidane në “udhëkryq”, por me dy mundësi për të ardhmen

20/01/2023 08:18

Ish-trajneri i Real Madrid, Zinedine Zidane është ende në kërkim të një aventure të re dhe pse e ardhmja mbetet ende në pikëpyetje.

50-vjeçari po shpresonte shumë që të merrte drejtimin e përfaqësuese franceze, kjo pasi Franca humbi finalen përballë Argjentinës në Botëror, por rinovimi i Deschamps deri në vitin 2026 bllokoi këtë lëvizje.

I papunë që nga maji i vitit 2017, Zidane është përsëri në qendër të vëmendjes, kjo për faktin se në Francë e shohin si trajnerin e ardhshëm të PSG, ndërsa në Itali si trajnerin e mundshëm që mund të marrë vendin e Allegri-t te Juventus.

Për momentin, situata e skuadrës nga Torino çon më shumë ujë në mullirin e francezit, pasi Juventus po vuan në këtë sezon dhe këtu nuk flasim vetëm për rezultatet në fushën e lojës.  Allegri mbetet në pikëpyetje për sezonin e ri dhe në Torino besojnë se projekti i ri do të nisë me zyrtarizimin e Zidane.

Ndërkohë, në Francë, PSG mund të jetë më shumë një dëshirë se sa një realitet, por jo e pamundur. Mediet franceze pak ditë më parë, pas humbjes së parizienëve përballë Rennes raportuan se marrëdhënia e Galtier me drejtuesit e klubit nuk është më e njëjta dhe gjithçka do të varet nga Champions League.

Pra, në rast dështimi, Galtier pritet të shkarkohet, pasi në Paris duan me çdo kusht trofeun më të lakmuar në kontinent dhe shkurti i rezervon një përballje delikate si ajo me Bayern Munich. Pra, Zidane do të jetë tani në rolin e një spektatori shumë të interesuar, pasi vera do të jetë shumë e nxehtë për të dhe në Francë janë të bindur se ish trajneri i Real Madrid do të rikthehet në punë duke nisur nga sezoni i ri./ Super Sport

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA