Tjetër seancë maratonë për Paplekajn, dëshmojnë anëtarët e ish-strukturës së Mbrojtjes së Votës në PD

20/01/2023 15:31

Anëtarët e ish-strukturës së Njësisë së Mbrojtjes së Votës në Partinë Demokratike kanë dëshmuar këtë të premte në një tjetër seancë maratonë ndaj Arbër Paplekaj.

I pari ka dëshmuar Arjan Hoxha, ish-përgjegjës i sigurisë për shtabin elektoral të subjektit politik Partia Demokratike për qarkun Elbasan. Në vijim kanë dëshmuar Erjon Demushi, Pavlo Vuksani dhe Nuredin Kasmi.

Burimet bëjnë me dije se dëshmitarët i kanë qëndruar besnik dëshmive të para rreth ngjarjes. Në listë janë në cilësinë e dëshmitarëve okularë plot 59 persona, përfshirë dhe punonjësit e policisë së shqiponjave dhe dy ish-zëvendës drejtorët e Policisë.

Në seancën e mëparshme, janë shqyrtuar pamjet filmike të vendit të ngjarjes ku u vra Pjerin Xhuvani, të cilat shkaktuan konfuzion mes palëve në Gjykatën e Elbasanit, pasi pamjet e sekuestruara nga kamerat rrotull vendit të ngjarjes në lagjen “5 Maji” në Elbasan në 21 prill 2021 nuk janë të qarta.

Për vrasjen e bujshme të ndodhur pak ditë para zgjedhjeve parlamentare u vetë-dorëzua Arbër Paplekaj, truprojë i drejtuesit politik të PD në Elbasan në atë kohë Gazmend Bardhi.

Top Channel