Përmbytje të mëdha në Kosovë! Mbi 80 familje të evakuuara në Skënderaj, rrëshqitjet e dherave bllokojnë rrugët

20/01/2023 15:42

Mbi 80 familje janë evakuuar nga shtëpitë e tyre në Skënderaj pas vërshimeve që nga dita e enjte.

Në këtë komunë situatë më e rënduar është në fshatrat Llaushë, Tushilë e Aqarevë ku janë shkaktuar dëme në shtëpi banimi, biznese e toka bujqësore.

Në Skënderaj, ka edhe rrugë të bllokuara si pasojë e shembjes së dheut në gjashtë lokacione ku po punohet për t’i liruar ato.

Nga një ditë më parë, këtë të premte në Istog gjendja është më e qetë pas ndërprerjes së shiut, derisa 12 familjet e evakuuara nga fshati Drejë pritet të kthehen në shtëpitë e tyre.

Në Klinë, për shkak që lumi Klina doli nga shtrati janë vërshuar toka të shumta bujqësore e shtëpi. Edhe në këtë komunë ka pasur të evakuuar ku përpos autoriteteve kanë ndihmuar edhe qytetarët.

Në vendin e njohur si Ujëvara e Mirushës në rrugën që lidhë Klinën me Gjakovën po ashtu për shkak të rritjes së nivelit të lumit Mirusha rruga është e pakalueshme.

Në Mitrovicë, situata të premten është më e qëndrueshme megjithatë përmbytjet janë të shumta. Forca e Sigurisë së Kosovës që nga mbrëmja e kaluar është duke ndihmuar në evakuime dhe në vënien nën kontroll të situatës.

Agjencia për Menaxhim Emergjent njofton që komunat më të prekura janë Istogu, Klina, Mitrovica, Skenderaj dhe Komunat ne Veri te Kosovës: Mitrovica, Zveçani dhe Zubin Potoku. Derisa kryeministri i Kosovës tha se do bëhet vlerësimi i dëmeve.

Reshjet pritet të vazhdojnë deri më 25 janar ka njoftuar Instituti Hidro Meteorologjik i Kosovës duke shtuar se përpos rajoneve të prekura, do ketë edhe të tjera. Për këtë arsye në disa prej rajoneve uji nuk është i pijshëm

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA