Manchester City konfirmohet klubi me të ardhurat më të mëdha në botë, 731 milionë euro sezonin e kaluar, para Realit të Madridit me 714 milionë dhe Liverpool me 702 milionë.
Evident dominimi i Premier League, për të parën herë klubet angleze bëjnë më shumë se gjysmën e 20-shes së parë me 11 klube angleze që janë mes 20 shoqërive me më shumë të ardhura në botën e futbollit.
Evident po ashtu rënia në këtë aspekt e futbollit italian, Juventusi është në vend të 11 me 401 milionë euro të ardhura, me diferencën mes skuadrës së parë italiane dhe elitës së futbollit europian që është rritur edhe më tepër pas hapjes së stadiumeve pas Covidit.
Deloitte zbulon në fakt se 5 nga 6 klubet e para kanë patur një rritje të të ardhurave me 15% falë krijimit të partneriteteve të reja komerciale dhe falë të ardhurave të siguruara nga evente që nuk kanë të bëjnë me ndeshjet, si koncerte apo ture nëpër stadiume.
Tim Bridge, drejtues i Sports Business Group të Deloitte shpjegon: “Premier League vazhdon të tërheqë miliona tifozë nga e gjithë bota dhe klubet që janë pjesë e asaj kanë një avantazh më të madh në aspektin e të ardhurave në krahasim me klubet konkurente të vendeve të tjera.
Interesi i partnerëve komerciale, i tifozëve dhe investitorëve për Premier rezulton më i madh se kurrë. Nëse nga njëra anë kjo të bën të shpresosh për një rritje të mëtejshme, mbetet për t’u parë nëse kampionatet e tjera mund të ngushtojnë hendekun, ndoshta duke rritur vlerën e të drejtave televizive në arenën ndërkombëtare, apo Premier League do të mbetet e paprekshme në aspektin e të ardhurave”.
Futbolli italian në këtë skenar nuk është dhe aq mirë. Juventusi ka rrëshqitur nga vendi i 9 në të 11, me 401 milionë të ardhura. Interi mbetet i 14 me 308 milionë dhe Milani është ngjitur në vendin e 16 me 265 milionë. Janë këto të vetmet skuadra italiane që bëjnë pjesë në 20-shen e parë, të gjitha të distancuara nga të parat e klasës. Për t’u sinjalizuar ndërkohë rënia e Barcelonës që ka “rrëshkitur” nga vendi i 4 në të 7, dhe përfshirja në 10-shen e parë e Arsenalit që kryeson kampionatin./ Super Sport
Top Channel