578 policët serbë të dorëhequr nga Drejtoria Rajonale e Mitrovicës së Veriut pritet të zëvendësohen me konkursin që mbyllet më 26 janar.
Ky konkurs që ka kriter moshën deri në 30 vjeç për kandidatët e interesuar është hapur për komunitetet pakicë në vend.
Policia e Kosovës nuk jep detaje mbi numrin e aplikantëve serbë, megjithatë mësohet se shifrat janë të ulëta, rreth 20.
Sipas ish-drejtorit të përgjithshëm të policisë, Rashit Qalaj kjo vjen edhe për shkak të kërcënimeve që marrin serbët e interesuar për t’u bërë pjesë e institucioneve.
Qalaj shton se ata që kanë aplikuar do të kenë problem për me të nisur punën. Fajtor për gjendjen e krijuar në veri, deputeti i AAK-së e lë Qeverinë e Kosovës.
Konkursi për rekrutimin e zyrtarëve policor në veri të Kosovës është hapur nga policia më 4 janar dhe së fundmi edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u ka bërë thirrje të aplikojnë për t’u bërë pjesë e këtyre institucioneve.
Që nga 5 nëntori i vitit të shkuar në Zveçan, Zubin Potok, Leposaviç e Mitrovicë të Veriut të gjithë policët serbë kanë dhënë dorëheqjet e tyre në kuadër të braktisjes së institucioneve nga serbët për shkak të vendimit për targat.
Top Channel