Rikonstruktohet shkolla “Besnik Sykja”, Veliaj: Po shfrytëzojmë çdo hapësirë për fëmijët që duan të merren me sport

18/01/2023 14:04

Gjimnazi “Besnik Sykja” në Tiranë, po i nënshtrohet rikontruksionit të plotë, duke i shtuar hapësirat dhe një palestër të re për nxënësit.

Kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili inspektoi punimet për godinën e re, u shpreh i kënaqur me ecurinë e punës. Ai tha se pavarësisht motit jo të mirë të këtyre ditëve, është bërë 50% të punës dhe shkolla pritet të jetë gati për sezonin e ardhshëm mësimor.

“Falenderoj kolegët, të cilët pavarësisht vështirësive të motit, nuk e kanë ndalur punën. Fakti se është bërë më shumë se gjysma e punës, është një lajm i shkëlqyer. Jo vetëm për ne, që jemi palë kontraktore si Bashki e Tiranës, por sidomos për stafin pedagogjik dhe nxënësit, të cilët sot mësojnë te ‘Petro Nini’”, tha Veliaj. Ai dha lajmin se edhe shkolla tjetër ikonë e Tiranës, “Petro Nini Luarasi”, do të rikonstruktohet.

“Mandatin tjetër do të bëjmë një ndërhyrje masive për “Petro Nini Luarasin” e ri, por sot fokusohemi te “Besnik Sykja”, një shkollë në zemër të Tiranës, në mes të Njësisë 5, një nga zonat ku edhe tregu imobilar, tregu i pronës, është nga më të lartët në Tiranë”, nënvizoi Veliaj. Për këtë arsye, tha kreu i bashkisë, është treguar kujdes që hapësira të shfrytëzohet maksimalisht, në mënyrë që terrenet e reja sportive, me të cilat po kompletohet çdo shkollë, të përdoren nga fëmijët edhe gjatë orëve të pasdites.

“Është mëkat që e gjithë kjo hapësirë të mos shfrytëzohet maksimalisht. Zgjidhja që i kemi dhënë është ta maksimizojmë, duke shtuar palestrën. Më vjen mirë që, edhe zgjidhja e dhënë, që të ketë edhe një dalje për t’u përdorur nga komuniteti, shoqatat sportive, nxënësit që vijnë pas mësimit dhe të sigurohemi që në një qytet ku prona vlen kaq shumë të mos lihet bosh asnjë centimetër katror, që mund të shfrytëzohet nga fëmijët, qoftë edhe nxënësit, qoftë të shkollës apo të komunitetit”, u shpreh kryebashkiaku.

Veliaj tha se “Besnik Sykja”, ashtu si shkolla “Emin Duraku”, e çojnë në 45 numrin e shkollave ku bashkia ka ndërhyrë për modernizimin e infrastrukturës arsimore në Tiranë.

“Në gjerdanin e shkollave të Tiranës, me dy shkollat e fundit që kemi, “Emin Durakun” dhe “Besnik Sykjan”, një 9-vjeçare dhe një shkollë të mesme në Njësinë 5, ne shkojmë në 45 shkolla në Tiranë, që janë bërë nga e para, ose janë rikonstruktuar, ose kanë filluar nga zero, si shkolla “Kosova”, apo shkollat që u prishën nga tërmetit, si “Sami Frashëri” dhe “Besnik Sykja”. Kur nuk ke bërë asnjë shkollë është shumë e lehtë të japësh mend për shkollën që bën ai tjetri. Kur je ai tjetri që ke bërë 43, 44, 45, ke garë me veten, sepse do që çdo gjë e re të jetë më e mirë se ajo tjetra”, vuri në dukje ai.

Veliaj vlerësoi edhe faktin se sot ka një bashkëpunim të shkëlqyer për Tiranën. Shkolla e mesme “Besnik Sykja”, e cila ndodhet në Rrugën “Kristo Floqi” në Tiranë, është ndërtuar në vitin 1964.

FOTO GALERI
4/4

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA