Një ish-komandant i grupit famëkeq të mercenarëve rus Wagner ka dezertuar e është arratisur në Norvegji ku po kërkon azil.

26-vjeçari Andrey Medvedev, kaloi kufirin të premten e kaluar, ku dhe u ndalua nga rojet norvegjeze. Ai aktualisht po mbahet në Oslo ku përballet me akuzat për hyrje të paligjshme në vend, tha avokati i tij Brynjulf ​​Risnes për BBC.

Risnes pretendon se klienti i tij u largua nga Wagner pasi u kthye në dëshmitar të krimeve të luftës në Ukrainë. Medvedev ka rrëfyer për CNN sakaq se druhej për jetën e tij, pasi kishte refuzuar të rinovonte shërbimin me Wagner.

I riu rrëfeu se në përfundimin e kontratës, nuk kishte pranuar të firmoste sërish por mendonte se mund të përfundonte i vrarë si një tjetër dezertor, Yevgeny Nuzhin, i cili u godit në kokë me vare dhe e gjithë ngjarja u filmua në kamera.

“Na hodhën në luftë si të ishim mish për top”, i tha ai Vladimir Osechkin, kreut të Gulagu.net, një grup mbrojtës i të drejtave të njeriut, në një bisedë të publikuar në YouTube.

“Kam nënshkruar kontratën me grupin, më 6 korrik 2022. Më kishin emëruar komandant të skuadrës së parë të togës së 4-të të repartit të 7-të sulmues. Kur të burgosurit filluan të vinin, situata në Wagner ndryshoi vërtet. Ata nuk na trajtonin më si njerëz. Për ta ishim vetëm numra në betejë”, është shprehur 26-vjeçari.

Medvedev ishte përpjekur më parë dy herë të kalonte në Finlandë, por dështoi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA