Ashtu sikurse pritej, ofensiva diplomatike perëndimore me pikësynim arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse Kosovë-Serbi nisi.

Në Prishtinë, mbërriti Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit (DASH), Derek Chollet, i cili është takuar me presidenten Vjosa Osmani e kryeministrin Albin Kurti. “Angazhimi i shtuar i SHBA-së, është vendimtar për dialogun me Serbinë e për të siguruar rezultat të suksesshëm në dobi të qytetarëve të Kosovës”, deklaroi Osmani.

Ajo përsëriti qëndrimin se një marrëveshje përfundimtare me Serbinë, duhet të ketë në qendër njohjen e ndërsjellë. “Kosova është e gatshme të vazhdojë, me përkushtim të plotë, të jetë palë konstruktive, e koordinuar me SHBA-në, duke bërë propozime që kontribuojnë në arritjen e një marrëveshjeje të tillë”, tha presidentja. Në fokusin e bisedës së saj me zyrtarin e lartë amerikan kanë qenë edhe zhvillime të tjera në rajon e në botë.

Osmani e bëri të qartë se mbështetjen e Rusisë: “Serbia vazhdon të jetë forcë destabilizuese dhe kërcënim për paqe të qëndrueshme në Ballkan”. Detaje nga takimi i tij me Kurtin nuk ka ende. Kjo vizitë e zyrtarit të lartë amerikan vjen në kohën e përpjekjeve të reja ndërkombëtare për të përshpejtuar procesin e normalizimit të raporteve midis Kosovës dhe Serbisë. Këshilltari i DASH-it, në takimin me Osmanin dhe Kurtin, ishte i shoqëruar edhe nga i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Chollet më herët qëndroi edhe në Shkup, teksa pas Prishtinës do të niset drejt Beogradi. Njohës të cështjeve politike e shohin sit ë një rëndësie kyce vizitën e tij sa i takon dinamizmit të procesit të dialogut. Ajo sipas tyre, injekton energji të re në këtë proces sepse edhe investimet madhore amerikane në Ballkan janë të drejtuar në arritjen e marrëveshjes finale dhe gjetjen e një zgjidhjeje për krijimin e një etape të re historike.

Top Channel