Presidenti Joe Biden tha të martën se ishte i befasuar kur mësoi se dokumenta të klasifikuara u gjetën në një zyrë që ai përdorte dikur dhe tha se ai dhe ekipi i tij po bashkëpunojnë plotësisht me agjencitë amerikane që po kryejnë një vlerësim të asaj që ndodhi.

Presidenti Biden u tha gazetarëve në një konferencë të përbashkët shtypi me udhëheqësit e Meksikës dhe Kanadasë se ai po i shqyrtonte seriozisht dokumentet e klasifikuara. Ai tha se nuk e dinte se çfarë kishte në ato dokumenta.

Biden është përballur me kritika nga republikanët pasi Departamenti i tij i Drejtësisë nisi një hetim vitin e kaluar për shqyrtimin e dokumentave të klasifikuara , të zbuluara në banesën e ish presidentit republikan Donald Trump në Mar-a-Lago në Palm Beach të Floridës.

Avokatët e zotit Biden zbuluan më pak se 12 dokumenta të klasifikuara brenda zyrës në një institutin hulumtues dhe njoftuan Arkivin Kombëtar të SHBA për zbulimin e tyre, i dorëzuan materialet dhe thanë se po bashkëpunonin me Arkivin Kombëtar dhe Departamentin e Drejtësisë.

Në kontrast me këtë rast, ish presidenti Trump mbajti mijëra të dhëna qeveritare, disa qindra prej të cilave ishin me shenjën “të klasifikuara”, brenda rezidencës së tij në Florida për më shumë se një vit pasi u largua nga Shtëpia e Bardhë dhe nuk i ktheu ato menjëherë ose me dëshirë, pavarësisht kërkesave të shumta nga Arkivi Kombëtar.

 

Top Channel