“Kryqëzoi” Trumpin, edhe Bidenit i gjenden dokumente konfidenciale në zyrën private!

10/01/2023 13:31

Kur në rezidencën e tij në Mar-a-Lago të Floridës, Donald Trumpit iu gjetën të paktën dy dokumente të shënuara si konfidenciale, presidenti Joe Biden e cilësoi si krejtësisht të papërgjegjshëm paraardhësin e tij lidhur me trajtimin e bërë të dhënave delikate, që thuhej se përfshinin materiale që kishin të bënin me liderë të huaj dhe aftësitë bërthamore.

Sot, është Bideni vetë që gjendet përballë një gjyqi të ngjashëm mediatik.

Departamenti Amerikan i Drejtësisë po shqyrton dokumente potencialisht të klasifikuara të gjetura në zyrën e mëparshme të tij në një institut kërkimor.

Sipas partnerit amerikan të BBC-së, CBS News, FBI është përfshirë në hetimin e 10 dosjeve të klasifikuara të gjetura në Qendrën Penn Biden,ëe mbyllura me kyç në një dollap, dhe Prokurorit të Përgjithshëm të SHBA, Merrick Garland, i është kërkuar të shqyrtojë dokumentet.

Një burim që ka dijeni mbi çështjen pohon sidoqoftë se dokumentet nuk përmbajnë sekrete nukleare.

Bideni vazhdoi ta mbajë zyrën e tij në tink tank-un e ndodhur rreth një milje nga Shtëpia e Bardhë, nga viti 2017 deri në  2020-tën.

Trumpi reagoi përmes një postimi në rrjetin e tij të mediave sociale, Truth Social, duke pyetur: “Kur do të bastisë FBI-ja në shtëpitë e shumta të Joe Biden, ndoshta edhe Shtëpinë e Bardhë?”

Departamenti i Drejtësisë zhvilloi hetime ndaj ish presidentit mbi mënyrën e trajtimit të dokumenteve qeveritare, nga ana e tij pas largimit nga detyra në janar të vitit 2021. Trumpi ka mohuar të ketë shkelur ligjin dhe pretendon se hetimi është një sulm politik ndaj tij.

Top Channel