Reagime pas plagosjes së dy të rinjve serbë në Kosovë

07/01/2023 18:56

Situata në komunën e Shtërpcës në jug të Prishtinë, është e qetë të shtunën, një ditë pasi që grupe qytetarësh serbë të kësaj pjese bllokuan për disa orë rrugën kryesore në shenjë proteste pas plagosjes së dy të rinjve serbë.

Të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetë dhe po trajtohen në spitalin e Graçanicës afër Prishtinës ndërsa policia arrestoi të dyshuarin me inicialet A.K. i moshës 33 vjeçare.

Qytetarë të komunës së Shtërpcës ku jetojnë serbë e shqiptarë bashkë e dënuan incidentin.

“Ishte e tmerrshme, e turpshme. Ata ishin vetëm fëmijë dhe nuk fshihnin asgjë. Ata kishin veshur vetëm rrobat tradicionale të Krishtlindjeve. Ata kurrë nuk provokuan askënd. Ata ishin vetëm fëmijë 11 dhe 21 vjeç”, tha Stajko Popoviç.

“Prej pas luftës kemi jetuar mirë, nuk kemi pasur asnjë incident me ta (serbët) kurrë, hiq, hiq. Edhe sot nuk ka, por që e dëgjuam këtë lajm tragjik”, tha Shefki Tahiri

Incidenti ngjalli reagime të shumta të udhëheqësve të institucioneve vendase e ndërkombëtare.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier tha të shtunën gjatë një vizite në Manastirin e Graçanicës në afërsi të Prishtinës se Shtetet e Bashkuara e dënojnë plagosjen e dy të rinjve serbë në Shtërpcë.

“Ne e dënojmë atë akt dhe jemi shumë mirënjohës që autoritetet vepruan kaq shpejt dhe arrestuan të dyshuarin”, tha ambasadori Hovenier.

Bashkimi Evropian e dënoi siç tha me vendosmëri plagosjen e një fëmije dhe një të riu në Kosovë. “Është e rëndësishme që autoritetet të hetojnë plotësisht këtë krim të neveritshëm dhe drejtësia të vihet në vend”, thuhet në reagim.

Autoritetet në Kosovë e dënuan sulmin ndërsa u zotuan për vazhdimin e hetimeve deri në ndriçimin e rrethanave dhe motive të mundshme të sulmit.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç kërkoi nga mekanizmat ndërkombëtarë që të kujdesen për komunitetet në Kosovë.

“U bëj thirrje të gjitha autoriteteve kompetente, mbi të gjitha komunitetit ndërkombëtar dhe KFOR-it, që të rrisin praninë e dhe të mos ndihmojnë me shpallje dhe dënime, por duke treguar në terren se me të vërtetë kujdesen për mbrojtjen e serbëve dhe qytetarëve njerëzve të tjerë jo shumicë që jetojnë këtu”, tha ai.

Incidenti i cili u dënua ashpër nga përfaqësuesit e Beogradit ndodhi në kohën kur serbët po shënojnë Krishtlindjet ortodokse.

Në kishat e manastiret e Kosovës mbrëmë dhe sot janë mbajtur liturgjitë me rastin e krishtlindjeve përgjatë të cilave u bë thirrje për paqe dhe u bënë lutje për të plagosurit.

Top Channel