KFOR-i ia ktheu një ditë më parë përgjigjen kërkesës së Serbisë për të dërguar 1.000 ushtarë dhe policë në veriun e Kosovës.
Përfaqësuesit e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë e pohuan se e kanë marrë shkresën e misionit paqeruajtës të NATO-s, por asnjëra palë nuk tregoi se çfarë përmbante ajo.
Ministria serbe e mbrojtjes rrëfeu vetëm se përgjigja iu kalua përfaqësuesve të Komisionit për zbatimin e Marrëveshjes teknike ushtarake të premten në pikën kufitare të Merdares mes Kosovës e Serbisë, dhe shtoi se dokumenti iu dorëzua presidentit serb, Aleksandar Vuçiç.
Ish kryenegociatorja e dialogut Prishtinë-Beograd, Edita Tahiri pretendon se Serbisë nuk i ka pëlqyer përgjigjja e KFOR-it, në të kundërt, argumenton ajo, autoritetet serbe do të kishin nxituar ta bënin publike.
E-maili i ushtrisë serbe, zyrës së KFOR-it i mbërriti mbrëmjen e 15 dhjetorit. Serbia e ngriti pretendimin për dërgimin e pjesëtarëve të forcave të sigurisë si reagim ndaj pranisë së shtuar të Policisë së Kosovës në veri të Kosovës.
Në paraqitjen e një kërkese të tillë, në mesin e një përshkallëzimi të ri të situatës në veri, Beogradi zyrtar i referohej Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, të vitit 1999.
Vuçiçi e pohoi megjithatë thuajse menjëherë se gjasat ishin shumë të mëdha që kërkesa serbe, të mos pranohej.
Top Channel