Ndotja plastike duket se është një nga tiparet kryesorë të stilit “modern” të jetesës, por tashmë duket se është aq e përhapur sa ka gjetur rrugën e tij deri te perimet e frutat që rriten nga toka, duke bërë akoma më të theksuara sëmundje të rënda si kanceri apo ato degjenerative të trurit.
Plastika e mikroplastika është raportuar se janë gjetur në të gjitha pjesët e planetit, që prej akullnajave deri në stomakun e kafshëve të mëdha detare.
Por ato nuk duket se gjenden vetëm në ujë por dhe në tokë e rrjedhimisht në ushqimet që hamë, aq sa në reportazhin e BBC thuhet se “mund të jemi duke ngrënë plastike helmuese me çdo kafshatë që ushqehemi”.
Në vitin 2022, një analizë e grupit Environmental Working Group, zbuloi se ujërat e zeza kishin infektuar rreth 80,937 km katrorë tokë në SHBA me substanca plastike të njohura si PFAS, ose ndryshe “kimikate të përhershme”, të cilat gjenden në produktet plastike dhe nuk shpërbëhen kurrë në kushte normale mjedisore.
Studimi llogariste se rreth 8-10 milionë mbetje plastike nga ujërat e zeza prodhohen në Evropë çdo vit dhe nga kjo 40% përhapet në tokat bujqësore, shkruan BBC.
“Ky numër mikroplastikash që përhapen në tokat bujqësore është i nënvlerësuar”, thotë Catherine Wilson, një nga autoret e studimit të universitetit britanik të Cardiff. “Mikroplastikat janë kudo dhe shpesh aq të vogla sa nuk i shikojmë dot”, shton ajo.
Dhe nga ana tjetër ato qëndrojnë aty për shumë gjatë. Një studim i fundit nga studiues të Philipps-University Marburg, zbuloi mikroplastike deri në 90 cm thellësi të tokës bujqësore, ndërsa nuk shpjegohet sesi ky helm është përhapur në mënyrë të tillë, përveç plehrave kimike e organike dhe plugimit të tokës, që i përhap vetëm ne menyre te kufizuar.
Përqendrimi i plastikave në tokat bujqësore të Evropës është i ngjashëm me masën e gjetur në sipërfaqet e oqeanit, thotë James Lofty, autori kryesor i studimit të Cardiff.
Përveç krijimit të një rezervuari të madh mikroplastikash në toka, përdorimi i mbetjeve urbane si fertilizues po përkeqëson situatën në oqeane, shton Lofty. Rrjedhimisht mikroplastikat gjejnë rrugën e tyre në lumenj apo ujëra nëntokësore, thote ai.
Disa vende evropiane si Italia e Greqia, i groposin mbetjet organike urbane por shumë të tjera i përdorin si fertilizues.
Studiuesit thonë se më shumë kërkime nevojiten për saktësimin e masës së plastikës në tokat bujqësore dhe pasojat e saj te ushqimi, por shumica janë dakord se plastika po kthehet nga dikur kontaminues në ndotës, me efekte negative mjedisore e shëndetësore.
“Mikroplastikat nuk duhet të jenë në ujin e ushqimin tonë, ka ardhur koha për rregullatorë e legjislacion”, shkruajnë studiuesit. //BBC//
Top Channel