Pas larvave, do të hamë edhe karkalecat: Pluhuri i tyre do të mbërrijë në tryezat tona, shkruajnë mediat italiane, të cilat njoftojnë se Bashkimi Europian e ka dhënë tashmë dritën jeshile për hedhjen e këtij ushqimi të ri në treg.
Mielli i insekteve vjen në formën e një pluhuri pjesërisht të çyndyrosur. Korrikun e 2020-tës, KE-ja i kishte kërkuar Autoritetit Europian të Sigurisë Ushqimore të bënte një vlerësim mbi çështjen, dhe marsin e dy viteve më vonë, ky organizëm e miratoi opinionin shkencor mbi sigurinë e pluhurit në fjalë. Dispozita u botua në Gazetën Zyrtare të bllokut. Për një periudhë pesë vjeçare, duke filluar nga data e hyrjes në fuqi të kësaj rregulloreje që është 24 janari 2023, në dispozitë është e përcaktuar se për momentin, vetëm shoqëria Cricket One Co Ltd do të autorizohet të hedhë këtë ushqim të ri në tregun e unionit.
Sipas vendimit të BE-së, ky lloj mielli do të gjejë përdorim në ushqime të ndryshme duke përfshirë bukën, cornflakes, biskotat, makaronat, salcat, picat, produkte zëvendësuese të mishit, supat, apo produktet e çokollatës të destinuara për popullatën e përgjithshme. Shumica e italianëve, sipas shkrimit, e shohin me skepticizëm të madh përfshirjen e insekteve në tryezë, ç’ka konsiderohet diçka krejtësisht e huaj për kulturën ushqimore kombëtare”. Sipas një sondazhi 54% e italianëve janë vërtet kundër miellit të insekteve në ushqimet tona, dhe vetëm 16% janë pro.
Disa ekspertë vendas argumentojnë se kjo duhet të mbeten një zgjedhje personale dhe ata që kanë dëshirë për ushqime ekzotike, mund t`i përdorin. Por t’i promovosh si dietë të qëndrueshme dhe si një alternativë ndaj dietës tonë, kjo do të thotë të shkelësh besimin e njerëzve, shprehen ata.
Top Channel