Studiuesit nga Instituti Kombëtar i Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive (NIAID) analizuan përgjigjet imune të njerëzve të shëndetshëm që kishin marrë vaksinën e gripit.

Ata më pas krahasuan përgjigjet e atyre që nuk kishin pasur kurrë COVID me ata që kishin raste të lehta dhe u shëruan.

Studiuesit u befasuan kur zbuluan se burrat që kishin pasur raste të lehta COVID treguan një përgjigje më të fortë ndaj vaksinave të gripit në krahasim me gratë me infeksion të lehtë COVID ose me njerëzit që nuk ishin infektuar kurrë.

Sipas autorëve, kjo do të thotë se statusi bazë i imunitetit te burrat e infektuar më parë ndryshoi përgjigjen ndaj një virusi tjetër. Studiuesit thanë se edhe rastet e lehta të COVID mund të shkaktojnë përgjigje më të forta inflamatore tek meshkujt sesa tek gratë.

Kjo mund të rezultojë në ndryshime më të theksuara në sistemin imunitar të mashkullit, madje edhe shumë kohë pas shërimit. Meshkujt e infektuar më parë prodhonin më shumë antitrupa ndaj gripit, si dhe nivele të rritura të interferoneve.

Në mënyrë tipike, gratë e shëndetshme kanë përgjigje më të forta të interferonit sesa meshkujt. Shfaqja e simptomave të gjata në disa njerëz vazhdon të jetë një shqetësim i madh shëndetësor. Rikujtojmë, se nënvarianti i ri i koronavirusit HBV.1.5, i cili po përhapet me shpejtësi në shumë vende të botës, është më ngjitësi që është parë deri më sot.

Lajmin e bën të ditur Organizata Botërore e Shëndetësisë. Epidemiologia Dr.Maria Van Kerkhove u shpreh se nënvarianti i ri i Omicron është zbuluar tashmë në 29 vende dhe ndoshta ekziston edhe në më shumë në realitet. Lloji i ri ka mutacione që e lejojnë të infektojë dhe të shumohet shpejt.

Top Channel