Pas konfliktit me armë zjarri që ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Prizren ku si pasojë ka ndërruar jetë një person ndërsa një tjetër është plagosur, të dy nga Kukësi, mësohet se i plagosuri është transportuar për trajtim të mëtejshëm në Spitalin e Traumës në Tiranë.
Sipas njoftimit paraprak të policisë shqiptare në Morinë, rreth orës 04:25 të mëngjesit, kanë hyrë për në drejtim të spitalit rajonal të Kukësit, shtetasit V. C., 31 vjeç, dhe R. Sh., 27 vjeç, që transportoheshin me automjet nga shtetasi A . B., të tre nga Kukësi, ku shtetasit V. C., dhe R. SH, ishin të plagosur me armë zjarri në Prizren të Kosovës.
Si pasojë e plagëve të marra shtetasi V. C., ka ndërruar jetë gjatë rrugës.
Ndërkohë, sipas informacionit të dhënë nga spitali për mediat e Kosovës, gjendja e shtetasit tjetër me iniciale R.Sh. është e qëndrueshme dhe jashtë rrezikut për jetën.
Në anën tjetër, kryeprokurori Admir Shala në Kosovë ka treguar dyshimet e para se si ka ndodhur rasti tragjik.
Sipas tij, dyshohet se ngjarja tragjike ka ndodhur pas një konflikti në lokalin ‘Kobra City’ me disa shtetas të Shqipërisë, lidhur me pagesën e faturës së shërbimeve.
“Sot në orën 04:10, policia ka marr informatë se ka pasur të shtëna në afërsi të lokalit ‘Kobra City’, në dalje të Prizrenit rruga Prizren- Kukës. Dyshohet se ngjarja tragjike ka ndodhur pas një konflikti në lokalin ‘Kobra City’ me disa shtetas të Shqipërisë, lidhur me pagesën e faturës së shërbimeve”, ka thënë Shala.
Tutje kryeprokurori theksoi se në momentin që shtetasit V.C., R.Sh dhe A.B, po largoheshin me automjetin e tyre të markës Audi, dyshohet së shtetasi D.H, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit të tyre.
Shala tha se Prokuroria Themelore në Prizren së bashku me Policinë e Kosovës, janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, me qëllim të sigurimit të provave dhe zbardhjes së rrethanave të ngjarjes.
“Organet e zbatimit të ligjit të Kosovës dhe ato të Shqipërisë janë në bashkëpunim për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. I dyshuari D.H. dyshohet për veprën penale vrasje e rëndë. Janë ndaluar për 48 orë, 6 persona. Për informata tjera do jeni të informuar”, tha ndër të tjera, kryeprokurori Shala.
Top Channel