Një operacion antidrogë në qarkun e Korçës është finalizuar në orët e para të mëngjesit,ndërsa janë sekuestruar 58 kg lëndë narkotike kannabis.
Gjatë operacionit “Restart 13”, u arrestuan Erisa Fero 28 vjeç, Likë Basha 32 vjeç dhe M. K. 17 vjeç, ndërsa u shpallën në kërkim F. S., 30 vjeç dhe G. S., 28 vjeç, banues në fshatin Piskupat të Pogradecit.
Në Qafë Thanë policia ka konstatuar automjetin tip “Volkswagen” pranë të cilit ndodhej shtetasi Likë Basha.
Gjatë kontrollit në brendësi të automjetit, në pjesën e bagazhit u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 58 kilogramë kanabis.
Nga hetimet e kryera rezulton se shtetasja Fero dhe dy të tjerët kishin kryer transportimin e lëndës narkotike nga qyteti i Tiranës në drejtim të Qafë Thanës.
Ndërsa trafikimin e sasisë së drogës në drejtim të Maqedonisë, do ta kryenin dy personat e shpallur në kërkim F. S. dhe G. S.
“Finalizohet faza e trembëdhjetë e operacionit policor të koduar “Restart”, startuar 1 vit më parë. Operacioni për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike, në drejtim të shtetit maqedonas. Vihen në pranga 3 shtetas dhe shpallen në kërkim 2 të tjerë. Sekuestrohen 58 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis. Në vijim të operacionit antidrogë të koduar “Restart”, nisur më datë 07.11.2021, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Korçë, nën drejtimin e Prokurorisë Pogradec, finalizuan me sukses fazën e trembëdhjetë të tij. Si rezultat i saj, u bë arrestimi në flagrancë për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, i shtetasve: E. F., 28 vjeçe, banuese në Tiranë; M. K., 17 vjeç, banues në Krujë; L. B., 32 vjeç, banues në fshatin Mafsheq, Krujë. Si edhe u shpallën në kërkim shtetasit F. S., 30 vjeç dhe G. S., 28 vjeç, banues në fshatin Piskupat, Pogradec.
Shërbimet e Policisë në bazë të inteligjencës informative se në drejtim të Maqedonisë, nëpërmjet zonës së fshatit Lin, Pogradec, do të trafikohej një sasi e konsiderueshme lënde narkotike, kanë organizuar punën dhe në Qafë Thanë kanë konstatuar automjetin tip “Volkswagen” pranë të cilit ndodhej shtetasi L. B. Gjatë kontrollit në brendësi të automjetit, në pjesën e bagazhit u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 58 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis. Nga hetimet e kryera rezulton se shtetasja E. F; dhe shtetasit M. K. e L. B., kishin kryer transportimin e lëndës narkotike nga qyteti i Tiranës në drejtim të Qafë Thanës. Po nga veprimet e para hetimore rezulton se trafikimin e sasisë së drogës në drejtim të Maqedonisë, do ta kryenin dy shtetasit e shpallur në kërkim F. S. dhe G. S. Në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijon puna për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe vënien para përgjegjësisë penale të personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec, për veprime të mëtejshme”, sipas policisë.
Top Channel