Ndryshimi i masës së sigurisë për ish-policin serb, Këshilli Gjyqësor i Kosovës reagon ndaj ‘ndërhyrjes së Kurtit’

28/12/2022 16:46

Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka shprehur shqetësim për “kërkesën e kryeministrit Albin Kurti për t’u informuar me emrin e gjyqtarit”, i cili ka marrë vendim ligjor për ndërrimin e masës së ish-policit serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiç, nga paraburgimi në arrest shtëpiak.

“Rikujtojmë kryeministrin se gjyqtarët janë dhe duhet të jenë të pavarur gjatë ushtrimit të detyrave të tyre kushtetuese dhe ligjore, ndërsa tendencat për ndërhyrje janë të papranueshme dhe si të tilla i dënojmë fuqishëm”, thuhet në reagimin e KGJK-së.

Në këtë reagim thuhet se “Këshilli Gjyqësor publikisht e informon kryeministrin Kurti se bazuar në Kushtetutë dhe Ligj, personi zyrtar kompetent që ka marrë këtë vendim quhet Gjyqtar i Republikës së Kosovës, vendimet e të cilit duhet të respektohen pa i komentuar, pa përjashtim, përfshirë edhe Qeverinë”.

Kurti gjatë një konference për media më 28 dhjetor tha se është “shumë kureshtar të kuptoj se cili është ai prokuror që bën këtë kërkesë e cili është ai gjyqtar i procedurës paraprake që e aprovon”.

Kundër vendimit për Pantiçin u shpreh edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila e cilësoi si “aktin më të rëndë që mund t’i bëhej vendit nga institucionet që do të duhej të ishin shembulli më i mirë i mbrojtjes së qytetarëve dhe rendit tonë kushtetues”.

Prokuroria Speciale e Kosovës konfirmoi të mërkurën se Pantiçit i është ndryshuar masa e sigurisë, nga paraburgimi në arrest shtëpiak, dhe tha se ky ndryshim u bë për shkak të gjendjes shëndetësore të ish-policit serb.

Arrestimi i Pantiqit, nxiti ngritjen e barrikadave në veri të Kosovës. Barrikadat u vendosën nga disa serbë lokalë, duke bllokuar rrugët që çojnë drejt dy pikëkalimeve kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak, që lidhin Kosovën me Serbinë.

Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë, ka paraqitur disa kushte për largimin e barrikadave, dhe njëra ndër to ka thënë se është edhe lirimi i serbëve të arrestuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA