Dy barrikada të reja janë vendosur në veri të Kosovës, një në Mitrovicë të Veriut dhe një në Zveçan, te vendi i njohur si Kërshi i Dudës.

“Në veri të vendit, gjatë natës persona/grupe kriminale, kanë vazhduar vendosjen e barrikadave duke penguar edhe më tej lirinë e lëvizjes së lirë. Referuar informacioneve zyrtare, janë vendosur edhe dy barrikada me mjete të rënda”, tha Policia.

Barrikada e vendosur në Mitrovicë të Veriut gjendet tek udhëkryqi i Shkollës Teknike, në afërsi të Lagjes së Boshnjakëve, që është një vendbanim multietnik, ku jetojnë shqiptarë, serbë dhe boshnjakë dhe rruga ku është vendosur barrikada është një prej rrugëve që lidh Mitrovicën e Veriut me atë të Jugut.

Ndërkaq, barrikada e vendosur te Kërshi i Dudës bllokon lëvizjen nga Mitrovica e Jugut në drejtim të Rudarës, pjesë e Komunës së Zveçanit.

Barrikada në Lagjen e Boshnjakëve është e para e vendosur brenda një qyteti në veri, që kur një grup serbësh lokalë nisën bllokimin e rrugëve më 10 dhjetor.

Barrikadat e tjera janë të vendosura kryesisht në rrugë magjistrale që çojnë drejt pikëkalimeve kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, që lidhin Kosovën dhe Serbinë.

Serbët lokalë prej 18 ditësh kanë ngritur barrikada në veri, në shenjë pakënaqësie me arrestimin e ish-policit serb të Kosovës, Dejan Pantiç.

Autoritetet në Kosovë kanë thënë se Pantiç dyshohet për organizimin e sulmit të 6 dhjetorit ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.

Që kur janë ngritur barrikadat, në veri të Kosovës janë shënuar një numër i incidentesh me armë zjarri, granata dore dhe shok bomba.

Policia e Kosovës ka shtuar prezencën e saj në veri të Kosovës, duke thënë se synon të garantojë siguri për të gjithë qytetarët.

Autoritetet në Kosovë kanë thënë se pas barrikadave qëndrojnë ”bandat kriminale që mbështeten nga Serbia”.

Qeveria e Kosovës ka thënë se shteti ka kapacitete që t’i heqë barrikadat, por i ka dhënë kohë misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR-it, që t’i heqë.

Nga ana tjetër, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka deklaruar se barrikadat do të hiqen kur Kosova të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

FOTO GALERI
3/11

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA