Fotot/ Kontrollet e befasishme në Fushë Kuqe, çfarë u gjetën të fshehura në kosheret e bletëve të fisit Martinaj

26/12/2022 15:40

Armë, uniforma policie, radio policie dhe predha u gjetën gjatë kontrolleve të befasishme në banesën e të shumëkërkuarit Ervis Martinaj dhe të familjarëve të tij në Fushë Kuqe nga FNSH-ja dhe RENEA.

Fushë Kuqja ishte e blinduar në çdo rrugicë të saj dhe qëndroi nën presionin e policisë për rreth katër orë.

Këto kontrolle u kryen me vendim gjykate në funksion të dosjes hetimore që SPAK ka hapur ndaj Ervis Martinajt pas operacionit “Plumbi i Artë” si edhe për të shuar pikëpyetjen për fatin e të shumëkërkuarit i cili u denoncua i zhdukur që më 9 gusht nga familjarët.

Në një njoftim zyrtar policia sqaron se mbi bazën e vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në kuadër të procedimit penal të vitit 2022, regjistruar në SPAK, për vepra të rënda penale të kryera në formën e grupit të strukturuar kriminal, ushtruan kontroll në banesat e  Ervis Martinajt dhe xhaxhallarëve të tij, Faik Martinaj dhe Ragip Martinaj.

Gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë gjetën të fshehura në koshere bletësh dhe sekuestruan në cilësinë e provave materiale: 2 armë zjarri automatike, 1 silenciator, rreth 7 mijë fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm, për armë të lehta dhe të rënda, 85 predha eksplozive, 1 thikë bajonetë, 9 uniforma policie, 7 jelekë multifunksionalë, 11 kapele policie, 2 radio policie, fenelina policie, maskë gome për fytyrën dhe dokumente të ndryshme.

Provat materiale do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore, për ekzaminime të mëtejshme laboratorike.

Njoftimi i plotë i Policisë së Shtetit

Kontrolle të befasishme në 3 banesa dhe në disa ambiente, në Fushë Kuqe. Kontrollet, në kuadër të hetimeve në funksion të dy procedimeve penale “Plumbi i artë” dhe “Rrëmbim personi”. Kontrollet, të mbështetura nga Forcat e Lëvizshme Operacionale të Policisë së Shtetit, FNSH dhe RENEA.

Sekuestrohen 2 armë zjarri, 1 silenciator, mijëra municione luftarake, radio, fenelina, uniforma policie, maska dhe sende të tjera të kundërligjshme.

Mëngjesin e sotëm, shërbimet e Policisë Gjyqësore të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe ekspertë të Institutit të Policisë Shkencore, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Gjyqësore të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, mbi bazën e vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në kuadër të procedimit penal të vitit 2022, regjistruar në SPAK, për vepra të rënda penale të kryera në formën e grupit të strukturuar kriminal, ushtruan kontroll në banesat e shtetasve: E. M., F. M. dhe R. M.

Gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë gjetën të fshehura në koshere bletësh dhe sekuestruan në cilësinë e provave materiale, sendet e mëposhtme: 2 armë zjarri automatike, 1 silenciator, rreth 7 mijë fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm, për armë të lehta dhe të rënda, 85 predha eksplozive, 1 thikë bajonetë, 9 uniforma policie, 7 jelekë multifunksionalë, 11 kapele policie, 2 radio policie, fenelina policie, maskë gome për fytyrën dhe dokumente të ndryshme.

Gjatë kontrollit nuk janë gjetur vlera monetare.

Provat materiale do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore, për ekzaminime të mëtejshme laboratorike.

FOTO GALERI
2/9

Top Channel