Prej 246 ditësh, Paul Pogba është larg fushës së blertë dhe dashurisë së tij më të madhe, lojës së futbollit.
Dëmtimi në gju rezultoi serioz mjaftueshëm sa për të detyruar t’i nënshtrohej ndërhyrjes kirurgjikale, ndërsa tashmë Pogba përgatitet të rikthehet i rëndësishëm për Juventusin, edhe pse hapat duhet t’i masë mirë.
Për momentin francezi ka nisur të vrapojë dhe pas Krishtlindjes, do të provojë të shtojë ritmin, gjithnjë nën kujdesin e përgatitësve atletikë. Është momenti më delikat dhe Pogba e di mirë këtë, ndaj edhe trajneri Massimiliano Allegri nuk e nxiton. Nëse gjithçka shkon mirë, Pogba mund të grumbullohet për ndeshjen e 13 janarit ndaj Napolit, ndërsa minutat e para pritet t’i rezervohen në ndeshjen e Kupës së Italisë ndaj Monzas më datë 19 janar.
Në fakt, janari i vitit 2023 dhe deri në fillimin e muajit shkurt, Pogba do të ketë një periudhë tranzitore për të rigjetur sërish formën ndërsa pritet që në fushë me fanellën e titullarit të zbresë më datë 16 shkurt për ndeshjen e Europa League ndaj Nantes. Programi për Pogba dhe stafin e Juventus është i qartë, me shpresën në rrugëtimin drejt rikuperimit të mos ketë më asnjë pengesë.
Top Channel