Bota po përgatitet të festojë Krishtlindjet. Ne kemi ardhur në familjen Gjoshe, e cila po i jep dorën e fundit tryezës festive, të mbushur me ëmbëlsira, verë, qirinj të ndezur, skenën e Lindjes së Krishtit dhe lulet e kuqe.

“Ajo që unë dua të veçoj ndër kujtimet e fëmijërisë, është Dita e Kolendrave. Mblidheshim të gjithë fëmijët e lagjes dhe shkonim shtëpi më shtëpi, trokisnim më një çok tek dera dhe këndonim një këngë që unë e kam përfshirë edhe në librin tim për adoleshentë ‘Njeriu i mirë’. Kënga është kjo: Kolendra, kolendra, hap o nëne derën, të na japësh një kulaç, se do shkojmë në Bozhigrad, Bozhigrad e tutje, me djem e me nuse, me të mira e mbarësi, paçi gjithmonë në shtëpi, veç shëndet e prokopi.

Mbaj mend gjithashtu që mamaja përgatiste edhe skenën e Lindjes së Krishtit në një kënd të shtëpisë. Nëse binte borë fëmijët përgatisnin edhe plakun e Vitit të Ri dhe cila lagje e bënte më të bukur, merrte si shpërblim edhe yllin.

Deri tani unë kam gati bakllavanë, brushtullën që e kam bërë të të tretet në gojë. Kam nxjerrë mishin e qengjit dhe më pas do të përgatis edhe sallatat. Familja jonë shkon nesër në mëngjes në kishë e më pas ulemi të gjithë për drekë. Shtëpia na është mbushur plot, pasi na kanë ardhur edhe nipi e mbesa, të dy studentë jashtë vendit. U uroj të gjithë shqiptarëve paçin mbarësi e shëndet“, shprehet amvisa Lefteri Gjosh.

Top Channel