Lirohet nga detyra drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror, Helidon Bendo do të jetë këshilltar i kryeministrit

23/12/2022 14:52

Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar lirimin nga detyra të drejtorit të Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH), Helidon Bendo, ndërsa tashmë ai do të jetë këshilltar I kryeministrit Edi Rama për reformën e institucioneve të sigurisë.

“Në mbështetje të nenit 93 të Kushtetutës, si dhe të nenit 5, paragrafit 2, të ligjit nr. 8391, datë 28.10.1998, “Për Shërbimin Informativ Kombëtar”, të ndryshuar, me propozim të Kryeministrit, dekretoj: Zoti Helidon Bendo, lirohet nga detyra e drejtorit të Shërbimit Informativ Kombëtar”, shkruhet në dekret.

Sipas Ramës, ai dorëzoi dorëheqjen për arsye të vazhdimit të studimeve pasuniversitare në Kolegjin e Studimeve Ndërkombëtare e të Sigurisë, pranë Universitetit Kombëtar të Mbrojtjes në Shtetet e Bashkuara.

“Me Helidon Bendon, Drejtorin e Shërbimit Informativ të Shtetit, i cili për arsye të vazhdimit të studimeve pasuniversitare në Kolegjin e Studimeve Ndërkombëtare e të Sigurisë, pranë Universitetit Kombëtar të Mbrojtjes në Shtetet e Bashkuara, ka dorëzuar dorëheqjen. Ai do të angazhohet në vijim si këshilltar i kryeministrit për reformën e institucioneve të sigurisë”, shkroi Rama në Facebook.

Helidon Bendo është emëruar në detyrën e Drejtorit të SHISH me dekretin e Presidentit në nëntor të vitit 2018.

Top Channel