Mijëra pasagjerë kanë mbetur të bllokuar në SHBA për shkak të fluturimeve të vonuara ose të anuluara, ndërsa kanë planifikuar të shkojnë në shtëpi për pushime.

Një prej gazetarëve të BBC, Bernd Debusmann Jr. shpjegon situatën e rëndë në aeroporte.

“Tani jam kthyer në Uashington DC, afërsisht 16 orë pasi hipa në një aeroplan për atë që supozohej të ishte një udhëtim relativisht i thjeshtë, me një ndalesë për t’u kthyer në El Paso, Teksas.

Megjithatë, udhëtimi u kthye në një odise të mbushur me zhgënjim. Një vonesë prej disa orësh e fluturimit tim të parë për në Dallas, ku temperaturat kanë rënë në -4C. Nuk isha i vetmi. Në Dallas, pashë dhjetëra njerëz duke fjetur në terminale ose duke iu lutur stafit të linjës ajrore t’i ndihmonte. Të tjerët thjesht hoqën dorë dhe u drejtuan në hotelet lokale për të planifikuar se çfarë të bënin më pas.

Përfundimisht, arrita të marr një fluturim alternativ, i cili përsëri u vonua për disa orë. Një kolege e BBC-së, e cila ishte nisur për në shtëpi për në Nju Jork, iu anulua plotësisht fluturimi, duke e detyruar atë të fluturonte për në DC, 200 milje (321 km) larg, nga ku ajo planifikoi të merrte një tren në vend.

Rreth dy orë pas nisjes së planifikuar, fluturimi im u realizua. Megjithatë, çdo ndjenjë lehtësimi ishte e parakohshme. Ndërsa iu afruam aeroportit Ronald Reagan në DC, piloti njoftoi se moti po na detyronte të devijonim drejt aeroportit të dytë të qytetit, Dulles International, rreth 40 minuta nga qyteti.

Si ndihmë, linja ajrore po shpërndante gjithashtu kupona për taksi për ata që shpresonin të ktheheshin në qytet. Por kur dola jashtë në të ftohtë të ashpër rreth orës 04:00, nuk kishte taksi – dhe çanta ime është ende e humbur”, tha gazetari.

 

Top Channel