Ish kryetari i bashkisë së Himarës, Vasil Bollano është arrestuar nga policia pasi ditën e djeshme përplasi për vdekje të miturin Elio Hamiti, i cili po lëvizte në këmbë në Llogara.

Ende nuk dihen shkaqet e aksidentit të rëndë, ndërsa policia thotë se ish-kryebashkiaku do të akuzohet për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen.

Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin V. B., 66 vjeç, banues në Himarë. Ky shtetas, ditën e djeshme, rreth orës 17:00, duke drejtuar automjetin, në aksin rrugor Orikum-Llogara, në afërsi të fushës së sportit, ka aksidentuar shtetasin E. H., 17 vjeç, banues në Dukat, i cili lëvizte në këmbë. Si pasojë e dëmtimeve të marra 17-vjeçari ka ndërruar jetë në Spitalin e Traumës, Tiranë. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen.“- njofton policia.

Aksidenti ndodhi mbrëmjen e djeshme në Llogora, ku ish-kryebashkiaku i Himarës, Vasil Bollano, duke drejtuar automjetin tip “Benz”, përplasi të miturin Elio Hamiti. 17-vjeçari ka qenë duke kaluar rrugën për të shkuar tek lokali i gjyshes së tij, i cili ndodhet në afërsi të fushës së sportit në Llogora. Në atë moment Vasil Bollanos ka kaluar në këtë aks rrugor dhe e ka përplasur.

Top Channel