Nis ndërtimi i Teatrit Kombëtar/ Rama dhe Veliaj vendosin gurin e parë të themelit të teatrit të ri

21/12/2022 15:30

Mëngjesin e sotëm sheshi i punimeve të Teatrit Kombëtar u rrethua me polici, pasi u hodhën themelet e para për ndërtimin e godinës së re, nën praninë e shumë aktorëve që e mbështetën projektin.

Jashtë rrethimit policor ndodheshin kundërshtarët e projektit.

“I thash arkitektit që nuk besoj se në jetën tende ke pasur dhe do kesh një inaugurim me polici që rrethon vendin e fillimit të punimeve.  E kam menduar shpeshherë pse komuniteti i teatrit, duke lënë mënjanë ata të cilët teatrin apo stadiumin apo sheshin ‘Skënderbej’ apo të gjitha veprat e tjera i kanë parë si platforma për të kërcyer vallen e shpatave të politikës, por pse komuniteti i teatrit pavarësisht bindjeve dhe simpative, normale që protagonistët e komunitetit i kanë të ndryshme kur vjen puna te politika, kishin një mosbesim thuajse konsensual  lidhur me këtë proces edhe lidhur me dëshirën dhe vullnetin bashkë me ambicien për të ndërtuar më në fund një teatër të denjë për këtë emër si teatri kombëtar”, tha Rama.

Uniteti i krijuar mes aktorëve që ishin kundër ndërtimit të teatrit të ri kombëtar, Rama tha se lidhet dhe me faktin që ai i kishte shpallur luftë godinës së vjetër që në 98-tën kur ishte ministër kulture.

Por sot në ceremoninë e nisjes së punimeve ai shpreh bindjen se në teatrin e ri kombëtar do të organizohen aktivitete ndërkombëtare dhe se tashmë merr fund edhe misteri i kullave tek teatri.

 “Sot më në fund zgjidhet misteri i madh ka kullë s’ka kullë i teatrit. Do ndërtohet apo jo kullë në sheshin e teatrit. Ky është teatrit ky është sheshi të gjitha këto spekulime e gënjeshtra për komunitetin tani i përkasin të shkuarës tani do të mbetet vepra. Një vepër që unë do isha shume i lumtur sikur të isha bashkë me Robert Ndrenikën dhe Tinka Kurtin për t’i hapur dyert. Tani unë do ju them çfarë nuk ecën keni pune me lali Erin, unë e mbarova punën time”, tha Rama.

“Sot kemi dakordësuar diçka shumë të madhe: që Teatri do të jetë në tokën e vet, në territorin e vet, pa lëshuar asnjë centimetër, as privatit, as kujt tjetër. Sot kemi rënë dakord që Teatri do të ndërtohet me para publike dhe jo me partneritet, sepse vendosëm që të vinim mënjanë, me vendim të Këshillit të Ministrave dhe këmbënguljen e Kryeministrit Rama, që të bëhet me paratë e buxhetit dhe ne të kemi mundësi që me para publike, në tokë publike, të bëjmë një teatër 9 herë më të madh, më të fortë dhe sigurisht më të bukur në rajonin tonë”, tha Veliaj.

Punimet për teatrin e ri kombëtar që nisën sot me pjesëmarrjen e shumë aktorëve të mëdhenj shqiptarë pritet  të zgjasin tre vite.

Top Channel