Një grua indiane që kërkoi ndihmë për të ushqyer fëmijët e saj, mori miliona rupi në donacione nga njerëz të huaj pas apelit në rrjetet sociale.
46 vjeçarja Subhadra, e cila jeton në shtetin jugor të Kerala, i kërkoi mësueses së djalit të saj 500 rupi ($6) për të blerë ushqim pasi i vdiq bashkëshorti.
Të prekur nga apeli i saj, mësuesit nisën një fushatë fondesh në rrjetet sociale dhe deri të henën familja kishte marrë rreth 5.5 milionë rupi në donacione.
Subhadra, e cila mban vetëm një emër, nuk arrinte të paguante dot faturat e saj pas vdekjes së bashkëshortit në gusht.
Ajo nuk mund të punonte pasi djali i madh është me paaftësi dhe kërkon kujdes të përhershëm.
Prandaj në fundjavë ajo kërkoi ndihmë te Girija Harikumar, mësuesja e shkollës vendase ku mëson djali i saj i mesëm.
Zonja Harikumar, mësuese e gjuhës Hindi tha për BBC se kishte pyetur nxënësin, Abhishek, nëse familja kishte probleme pas vdekjes së babait. Kjo ishte hera e parë që nëna dhe familja e saj kërkonin ndihmë.
“Unë i dhashë 1,000 rupi dhe i thashë se do të bëja diçka”, tha zonja Harikumar.
Mësuesja më pas vizitoi familjen dhe pa gjendjen e varfërisë ku ata jetonin.
“Ata kishin vetëm disa drithëra në kuzhinë dhe asgjë tjetër për të ngrënë”, tregon Harikumar.
Kështu që mësuesja bëri një postim në Facebook ku përshkruante hallin e familjes dhe i kërkoi njerëzve të ndihmonin sa kishin mundësi.
Postimi u shpërnda gjerësisht në rrjet dhe brenda disa ditëve Subhadra kishte marrë më shumë se 5 milionë rupi nga të huaj dashamirës.
Me një pjesë të parave familja thotë se do të përfundojë shtëpinë që po ndërtonte bashkëshorti i Subhadra para se të vdiste, ndërsa pjesën tjetër do ta përdorin për shpenzimet.
Apeli i donacioneve është mbyllur tashmë.
Top Channel