Në Gjirokastër një sfilatë e veçantë kostumesh e emërtuar “Rikrijimi i traditës” ishte finalizimi i 10 ditëve intensive pune për 16 dizenjues të rinj nga Shqipëria dhe Kosova.

Përgjatë kësaj periudhe ata kanë hulumtuar tek etnografia dhe kanë marrë elementë të veshjes tradicionale për të krijuar 16 kostume moderne inspiruar nga e shkuara.

Në sfilatë spikatën elementët e qëndisjes, teminat, dekori i mëngëve, elementët dekorativë të kokës materialet që nga shajaku e deri tek mëndafshi.

Të rinjtë patën mundësi të bashkëpunonin me artizanët lokalë gjatë përgatitjes së veshjeve duke u bërë pjesë e punishteve tradicionale e duke u frymëzuar edhe nga teknikat e punës të kostumeve popullore.

Eventi që promovon memorien për trashëgiminë dhe mbartjen e saj në jetën e përditshme u mbështet nga Trashëgimi Kulturore pa Kufi.

Ngjarja ishte konceptuar njëherazi si ndërgjegjësim për identifikimin dhe mbrojtjen e elementëve të kulturës materiale, shmangien e transformimeve në elementë të kostumeve dhe krijimin e hapësirave për edukim të artizanëve që po përcjellin traditën.

Top Channel