Teksa ende nuk ka një përgjigje të tij për kërkesën e Serbisë për të nisur 1000 ushtarë në veri të Kosovës, KFOR ka shtuar praninë e vet në këtë zonë.

“Po e monitorojmë nga afër situatën në veri të Kosovës. KFOR-i ka aftësi dhe personel për të ofruar mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet, në bazë të mandatit tonë që rrjedh nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, thuhet në një deklaratë të tij, ku sqarohet gjithashtu se rritja e pranisë ushtarake ka nisur gradualisht që në muajin tetor.

KFOR pret që palët të koordinohen nga afër me këtë mision dhe të përmbahen “nga shfaqjet provokuese të forcës”.

“Ne u bëjmë thirrje të gjithëve që të angazhohen në mënyrë konstruktive për të ofruar siguri dhe liri të lëvizjes në Kosovë. Zgjidhja duhet të gjendet përmes dialogut”, nënvizohet në reagimin e KFOR-it.

Situata e sigurisë në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, është tensionuar kohët e fundit pasi që nga 6 dhjetori janë regjistruar disa incidente me armë zjarri, granata dore dhe bomba tymuese.

Më 10 dhjetor, disa serbë lokalë ngritën barrikada, duke bllokuar rrugët që çojnë në dy pikëkalimet kufitare të lidhin Kosovën dhe Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak. Barrikadat u vendosën në shenjë pakënaqësie me arrestimin e një ish-polici serb të Kosovës, që Kosova thotë se dyshohet për “sulmin terrorist” ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.

Dy ditë më parë, Serbia iu drejtua KFOR-it me kërkesë për dislokimin e deri 1.000 trupave ushtarake dhe policore serbe në Kosovë, edhe pse siç thanë edhe vetë, nuk presin që ajo të miratohet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA