Lottie Moss ka deklaruar së fundmi se e motra e madhe supermodele Kate Moss “nuk e ka mbështetur asnjëherë” nga ana profesionale, për të përballuar presionet e industrisë së modës.
24-vjeçarja ka shpërndarë së fundmi një postim në Instagram, ku tregon sesi e kishte nisur “nga vendi më i keq i jetës time”, por shton se gjendet tashmë “në pozitën më të mirë mendore që ka qenë ndonjëherë”.
Në një seri fotografish të bëra nga mikesha e saj aktore Jessica Anne Woodley, Moss shpjegonte arsyet për largimin nga industria e modës.
Ajo shkruante: “E di që është e vështirë që njerëzit të kuptojnë, por të jesh në një industri aq toksike prej një moshe të vogël, lë pasojat e saj. Kam qenë në faqet e gazetave dhe më ndiqej çdo lëvizje prej moshës 16 vjeçare, që ishte shumë e vështirë për shëndetin tim mendor”.
Moss shtonte më tej: “E kuptoj se kam ardhur nga një pozicion i privilegjuar pasi kisha motër dikë shumë të famshëm, por që nuk më ka mbështetur me të vërtetë. Prindërit e mi ishin të dashur por unë nuk kuptoja atë që po ndodhte,” thotë e reja duke iu referuar faktit që ka qenë motra e vogël e supermodeles Kate Moss.
“Isha thuajse vetëm dhe kam lundruar mes kësaj vetë, duke tentuar të bëj më të mirën”, shton Moss duke pranuar se modelimi “nuk është për mua” dhe se ka “ulje ngritjet e tij”.
Ajo shton se nga ana pozitive, kishte njohur shumë njerëz të mrekullueshëm, që e kishin çuar në disa vende të mrekullueshme.
Modelja shton se ka vështirësi në shprehjen e emocioneve edhe pse nuk dëshiron që postimi saj të merret prej “një qaramaneje që ankohet për veten”.
Dy ditë më herët Moss kishte prezantuar në rrjetet sociale një tatuazh në fytyrë duke komentuar kundër alkoolit për të rinjtë.
Tatuazhi i ri shkruante “lover”, nën syrin e saj të majtë.
Disa javë më parë Moss përshkruante eksperiencën në qendrën e rehabilitimit nga alkooli si “gjëja më e mirë që bëra për shëndetin tim mendor”.
“Nuk ngrihesha dot nga krevati në mëngjes, nuk e njihja dot veten, nisa të bëja disa video erotike por nuk doja në të vërtetë,” tha ajo në një intervistë të fundit me Jamie Laing.
Ajo këshillonte më tej njerëzit që vuajnë nga depresioni ose shëndeti mendor, të flasin hapur.
Top Channel