Sulm me dronë iranianë/ Rusia sulmon Kievin, rrëzohen 13 prej tyre

14/12/2022 12:05

Rusia sulmoi këtë të mërkurë me raketa kryeqytetin e Ukrainës Kiev.

Këto sulme tregojnë edhe njëherë se si qyteti më i madh i Ukrainës mbetet i prekshëm ndaj sulmeve të rregullta ruse që kanë shkatërruar infrastrukturën dhe qendrat e tjera të popullsisë, kryesisht në lindje dhe jug të vendit në javët e fundit.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy, në një deklaratë të shkurtër video, tha:

“Terroristët rusë qëlluan me 13 dronë të prodhuar nga Irani dhe të gjithë u kapën. Të tillë drone kanë qenë pjesë e fuqisë së zjarrit të Rusisë së bashku me sulmet me mortaja, artileri dhe raketa në të gjithë Ukrainën në javët e fundit”, tha Zelensky.

Kreu i administratës së qytetit të Kievit, Serhii Popko, shkroi në Telegram se goditjet erdhën në dy valë, duke dëmtuar një ndërtesë administrative, ndërsa katër ndërtesa banimi pësuan dëme të vogla.

Ukraina në javët e fundit është përballur me një breshëri sulmesh ajrore ruse në të gjithë vendin, duke synuar kryesisht infrastrukturën.

Nga ana tjetër  zyrtarët amerikanë thanë të martën se Shtetet e Bashkuara ishin gati të miratonin dërgimin e një ndihme me raketa Patriot në Ukrainë.

Zelensyy u bëri presion udhëheqësve perëndimorë që të hënën që të siguronin armë më të avancuara për të ndihmuar vendin e tij në luftën e tij me Rusinë.

Patriot do të jetë sistemi më i avancuar i raketave tokë-ajër që Perëndimi i ka ofruar Ukrainës për të ndihmuar në zmbrapsjen e sulmeve ajrore ruse .

Top Channel