Shkarkimi i prokurores Antoneta Sevdari ishte disproporcional dhe në shkelje të nenit 8 të konventës.
Kështu e konsideron Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut vendimin e vettingut ndaj prokurores dhe anëtares së KLP Sevdari, e cila gjatë 2019 nuk u certifikua nga KPA për të qëndruar në drejtësi.
Duke prishur këtë verdikt Strasburgu shton se çështja ndaj zonjës Sevdari nuk shërben për të hedhur poshtë në tërësi procesin e vettingut.
Prokurorja e njohur do bëhet gati tanimë që të përballet me rihapjen e vettingut në Shqipëri.
Derisa vendimi të hyjë në fuqi për 3 muajt e ardhshëm , Strasburgu urdhëron autoritetet shqiptare ta dëmshpërblejnë prokuroren e shkarkuar për humbjen financiare të sjellë pas largimit nga detyra me vlerë 13.600 euro, si dhe 11 mijë euro dëmshpërblim jo pasuror dhe kompensim për kostot e procesit.
Sipas Strasburgut shkarkimi i prokurores pasi ajo nuk ishte në gjendje të provonte se bashkëshorti pagoi taksat në dy dekadat e fundit nuk ishte proporcional.
Për këtë arsye autoritetet shqiptare duhet të marrin masa për të rivënë drejtësinë thuhet më tej duke sugjeruar gjetjen e mekanizmave për rihapjen e procesit .
Gjatë muajit tetor të këtij viti, Strasburgu rrëzoi edhe një tjetër vendim të vettingut për prokurorin e larguar nga detyra Besnik Cani për të cilin u tha se i ishte shkelur e drejta për t’u gjykuar nga një gjykatë e krijuar me ligj. Pika e dobët që gjeti Strasburgu në rastin Cani , ishte emërimi pa i verifikuar të kaluarën Luan Dacit që mes të tjerash gjykoi dhe ish prokurorin.
Top Channel