Kosova aplikon përpara fundit të vitit për anëtarësim në Bashkimin Europian, një proces ky që pritet të zgjasë me vite nëse jo dekada, thotë Reuters, dhe varet shumë nga normalizimi i marrëdhënieve të saj me Serbinë.

Ajo nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara dhe pesë shtete të BE-së – Spanja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Qiproja – refuzojnë t`ia njohin pavarësinë. Ministri i Jashtëm spanjoll, José Manuel Albares, iu përvodh përgjigjes kur u pyet nëse Spanja do ta mbështesë kërkesën e afërt të Prishtinës për bashkim me bllokun europian.

Në një konferencë për shtyp nga Brukseli pas takimit të ministrave të jashtëm të BE-së, Albares, nuk është përgjigjur qartë nëse vendi i tij do ta mbështesë kërkesën e Kosovës. Ai theksoi vetëm se për momentin, nuk kanë asgjë në tryezë.

“Koha për të marrë vendime do të jetë kur kjo kërkesë të mbërrijë në tryezë, nëse mbërrin; për momentin nuk kemi asgjë të tillë”, u shpreh shefi i diplomacisë spanjolle.

Ky koment i tij vjen në kohën kur Beogradi u ka bërë thirrje vendeve të unionit që nuk e njohin shtetësinë e Kosovës, të bllokojnë hyrjen e saj në Bashkimin Europian. Kërkesa për anëtarësim është vetëm hapi i parë në një rrugë të gjatë drejt bashkimit me bllokun. Kosova vazhdon të mbetet vendi i fundit në rajon në proceset integruese dhe vendi i vetëm qytetarët e së cilës nuk mund të udhëtojnë pa viza në vendet e bllokut.

Një nga kushtet kryesore për integrimin e saj është arritja e një marrëveshjeje normalizimi me Serbinë, e cila gëzon mbështetjen e Rusisë në kundërshtimin e saj ndaj pavarësisë së Kosovës, të cilën e njohin vendet kryesore perëndimore. Normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën është kusht edhe për Serbinë e cila hapi në vitin 2014 negociatat për anëtarësim.

Top Channel