Shqipëria në Forumin Rinor Europian/ Shqipëria anëtarësohet si vëzhguese në platformën më të madhe të rinisë

11/12/2022 20:52

Për herë të parë Shqipëria është anëtarësuar në Forumin Rinor Evropian, duke marrë statusin e Anëtarit Observues.

Forumi Rinor Evropian është platforma më e madhe e politikave rinore me 100 organizata anëtare në 41 vende të botës. Që prej viti 2017, Kongresi Rinor Kombëtar ka ndjekur asambletë e përgjithshme dhe ka punuar për të plotësuar kërkesat e nevojshme për tu bërë pjesë e forumit.

“Në miniaturë është si anëtarësimi i Shqipërisë në BE, ashtu ka qenë dhe rrugëtimi jonë për tu bërë pjesë e forumit rinor europian”, tha Dafina Peci.

Kongresi Rinor Kombëtar tashmë ka të drejtën të përfaqësohet në Asamble dhe të marrë pjesë në të gjitha grupet e punës së Forumit.

“Jemi pjesë e hartimit të rezolutave, pjesë e propozimeve që i shkojmë Komisonit Europian dhe parlamentit europian, pjesë e projekteve të një niveli ndërkombëtar dhe do sjellim frymën e marrë atje në punën që ne bëjmë në përditshmëri”, u shpreh Peci.

Një rezolutë e dedikuar për vendet e Europës juglindore, do të jetë një ndër çështjet që kongresi rinor do të punojë dhe do t’i japë zë.

“Ne kemi ndërmend që të punojmë bashkë me organizatat simotra nga Europia juglindore për të çuar përpara kauzën e ndërlidhjes ndërmjet organizatave që janë pjesë e shteteve europiane pra të integruara në BE dhe tonat që janë të paintegruara në mënyrë që të zbatojmë projekte dhe nisma që deri tani nuk na kanë takuar”, tha Dafina Peci.

Këtë vit u finalizua procesi i anëtarësimit duke u votuar unanimisht për aprovim.

“Kjo ka qenë një pjesë e rëndësishme e krenarisë tonë sepse nuk ka ndodhur më përpara që e gjithë asambleja të votojë unanimisht pranimin e një organizate të re”, shtoi më tej ajo.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA