Shtetet e QUINT-it dhe Bashkimi Evropian kanë mirëpritur vendimin e Kosovës për të shtyrë mbajtjen e zgjedhjeve lokale në katër komunat në veri, të banuara me shumicë serbe.

“Ky vendim konstruktiv çon përpara përpjekjet për të promovuar një situatë më të sigurt në veri, që është kyçe për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja si e vetmja mënyrë përpara për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve midis Kosovës dhe Serbisë”, u tha në njoftimin e QUINT-it.

Në QUINT bëjnë pjesë: Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania dhe Italia. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi se zgjedhjet në veri janë shtyrë për 21 prill 2023.

Zgjedhjet për kryetar komune në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, fillimisht ishin caktuar të mbaheshin më 18 dhjetor.

Por, që nga 6 dhjetori në veri të Kosovës janë shënuar disa incidente të armatosura. Ndërkaq, të shtunën serbët lokalë nisën që të bllokonin disa rrugë atje.

“Në mënyrë që të sigurojmë pjesëmarrje sa më të madhe të qytetarëve në këto zgjedhje, vëzhgim nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare, siguri për të gjithë qytetarët pa dallim, si dhe kohë të mjaftueshme për institucionet e sigurisë që të bëjnë edhe përpjekje e të ndërmarrin veprime shtesë për rend dhe ligj në veri në vendit, vlerësoj që shtyrja është e nevojshme”, tha Osmani, pas takimit që pati me partitë politike, ku u vendos për shtyrjen e zgjedhjeve.

Zgjedhjet në veri do të mbahen pasi në nëntor, kryetarët e katër komunave, por edhe zyrtarë të tjerë serbë, dhanë dorëheqje në shenjë pakënaqësie ndaj një vendimi të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe.

Në Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok, më herët gjatë javës janë dëmtuar zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ndërkaq është raportuar edhe për një sulm ndaj Policisë së Kosovës, ku një polic u plagos.

Ndërkaq, bllokimi i rrugëve më 10 dhjetor u nxit pas arrestimit të një ish-polici serb. Zyrtarët në Kosovë e fajësuan ish-pjesëtarin e Policisë së Kosovës, Dejan Pantiç, për organizimin e “sulmit terrorist” ndaj zyrave të KQZ-së në veri.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se Pantiç akuzohet për kryerjen e veprave terroriste dhe sulm ndaj rendit kushtetues.? Radio Evropa e Lirë

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA