Televizioni turk në gjuhën angleze TRT Word zhvilloi forumin e përvitshëm me tematika të cilat lidhen me agjendat globale dhe rajonale, ku marrin pjesë disa udhëheqës të shteteve të ndryshme.
Mes tyre edhe kryeministri Edi Rama i cili u ndal tek konflikti Rusi-Ukrainë.
“Lufta në Ukrainë ka qenë moment vendimtar për komunitetin e sigurisë europiane dhe perëndimore. Në harkun e pak muajve madje të pak javëve, ne pamë transformimin e një fqinji të mënjanuar në dyert e Europës në një agresor të vendeve evropiane. Në fakt, shenjat kanë qenë të pranishme qysh nga pushtimi i Krimesë që duhej të kishte qenë një vijë e kuqe e panegociueshme si për BE, ashtu edhe për NATO-n, për të gjithë ne në perëndim”, tha Edi Rama.
Ballkani Perëndimor theksoi kryeministri Rama është një rajon i mbushur me dobësi mjaft specifike dhe i ekspozuar në mënyra mjaft të veçanta, ndaj sfidave që rrjedhin prej garës më të fundit gjeopolitike, dhe sidomos nga konflikti në Ukrainë.
“Ndryshe nga pjesa tjetër e Europës, ne në Ballkanin Perëndimor kemi vende ku mbi 70% e popullsisë ende beson se Rusia nuk është agresore dhe se Putini nuk është fajtor, por një udhëheqës të cilit mund t’i besohet të sjellë siguri në Europë dhe të ndryshojë ekuilibrin e pushtetit në kontinentin tonë. Kemi vende, konkretisht si Serbia apo dhe Republika Srpska për të cilat mos harmonizimi me vlerat euroatlantike është pjesë e identitetit të tyre, orientimi i tyre kombëtar, ndërkohë që harmonizimi me vlerat euroatlantike si pjesë e orientimit kombëtar është veçanërisht rasti i Shqipërisë dhe i Kosovës“, u shpreh Edi Rama.
Gjatë punimeve të këtij forumi kryeministri Rama zhvilloi, një takim me presidentin Erdoğan, për të diskutuar mbi ecurinë e marrëdhënieve bilaterale, situatën në rajon, Komunitetin e Ri Politik Europian, si edhe luftën në Ukrainë.
Top Channel