Tensionet e ditëve të fundit në veri të Kosovës kanë bërë që policia të rrisë prezencën në 4 komuna.

Mbrëmjen e kësaj të enjteje në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë të Veriut u vu re direkt një prezencë e shtuar e forcave të policisë.

Më 6 dhe 7 dhjetor, në veri të Kosovës ka pasur incidente me armë zjarri dhe me granata. Të martën, autoritetet bën të ditur se zyrat e komisioneve komunale zgjedhore u dëmtuan nga “mjete të rrezikshme”, nga grupe dhe persona “të maskuar”.

Incidentet ndodhën teksa policia po përcillte zyrtarët zgjedhorë për në zyrat e tyre në Mitrovicë të Veriut dhe në Zubin Potok, pasi autoritetet zgjedhore po vazhdojnë përgatitjet për zgjedhjet për kryetarë komune në veri të Kosovës, të caktuara për 18 dhjetor.

Duke parë këtë situatë, SHBA-të kanë bërë thirrje që zgjedhjet të shtyhen. Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, i tha Zërit të Amerikës se pikërisht për këtë çështje do të diskutojë me udhëheqësit e Kosovës gjatë vizitës së tij në Prishtinë javën që vjen.

“Është kohë e tensionuar dhe duam të sigurohemi se ka kushte për të mbajtur zgjedhje të lira dhe të drejta. Kosova është demokraci shumetnike, sikurse Shtetet e Bashkuara. Ne jemi krenar me punën që Shtetet e Bashkuara kanë bërë në këto 20 e ca vjet për ngritjen e demokracisë në Kosovë dhe duam të punojmë për ta mbështetur dhe ruajtur atë. mendojmë se këto zgjedhje duhet të shtyhen derisa koha të jetë e duhur dhe kur mund të mbahen pa nxitur më shumë joqëndrueshmëri dhe dhunë”, tha Chollet.

Zyrtari i lartë amerikan tha se po zhvillohen bisedime të vazhdueshme me udhëheqësit në Kosovë, dhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, është shumë i përfshirë.

Top Channel