Dhunoi gruan në lokal, arrestohet 33-vjeçari në Tiranë. Mbi 300 të arrestuar në një vit për dhunë

08/12/2022 09:31

Kryeqyteti rezulton qarku me më shumë denoncime për dhunë në familje në Shqipëri.

Kjo për shkak edhe të popullsisë të dendur. Ndërkohë që nga të dhënat që Top Channel ka siguruar nga Policia e Shtetit gjatë këtij viti kanë rënë në pranga 300 dhunues kryesisht bashkëshortë.

Rasti më i fundit është shënuar në rrugën “Qazim Vathi” në kryeqytet ku 33 vjeçari Armando Shabani shkoi në farmacinë ku ishte e punësuar bashkëshortja dhe me dhunë e çoi në një lokal dhe pas refuzimit të saj për pajtim e dhunoi, edhe pse ajo ishte e pajisur me urdhër mbrojtje. Forcat e komisariatit nr 4 të cilët e arrestuan në flagrancë për 3 vepra penale Heqje e paligjshme e lirisë, dhunë në familje dhe veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës.

Prej fillimit të këtij viti në të gjithë vendin ka pasur rreth 4087 denoncime për dhunë në familje. Denoncueset kanë qenë kryesisht gra që duhohen nga burrat e tyre.  Ndaj këtyre denoncimeve  gjykata ka lëshuar 1986 urdhra mbrojtje që për fat të keq kanë mbetur shpesh në letër dhe nuk I kanë mbrojtur gratë nga dhuna.

Top Channel