Me një paraqitje jo të zakontë me syze të errëta, i detyruar nga goditja që mori dy ditë më parë në tubim, Sali Berisha paralajmëroi revolucion dhe përballje pas protestës që u mbajt në 6 dhjetor.
Nga kuvendi i FRPD ku kujtoi 32-vjetorin e rrëzimit të diktaturës, Berisha akuzoi se sulmuesi u nxor në rrugë nga kryeministri, por sipas tij ‘as sulmi e as vrasja e njeriut nuk mund të vrasë kauzën’’.
“Shqipëria nuk shpëtohet me lutje, Shqipëria nuk shpëtohet me deklarata. Shqipëria shpëtohet me revolucion. E shpëtojnë guximtarët, ata që e duan, ata që i dalin zot, e shpëtojnë ata si ju, që jeni të gatshëm të përballeni ballë për ballë, dhëmb për dhëmb me fundërrinat e regjimit të vjetër, me Edi Ramën, këtë bir xhelati që urren qenien shqiptare, që urren liritë e shqiptarëve, që urren dinjitetin e shqiptarëve.
Edi Rama, ky frikacak, nxjerr një kriminel në rrugë dhe gjuan. Një njeri mund të gjuhet, mund të vritet, por kauza nuk vdes kurrë. Ne do e faktojmë shpejt Edi Rama se kauza jonë do triumfojë. Se Shqipërinë nuk ta japim kurrë, se lirinë nuk ta japim kurrë, se votën e lirë nuk ta japim kurrë!Ata që kanë luftuar pushtuesit në histori, i kanë luftuar me moton ja vdekje, ja liri, ne do i luftojmë me moton: jetën e japim, votën nuk ta falim. Mjerë ti që ke prekur votën tonë!”- tha Berisha nga kuvendi i FRPD.
Top Channel